
TIRANË- 2 orë kaos, benzinë dhe përplasje! Pasi seanca plenare përfundoi, qytetarët që kishin dalë për të protestuar para Bashkisë së Tiranës, shkuan në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë dhe tentuan që të “çmontonin” gardhin e krijuar bashkë me deputetët e Opozitës. Në një moment, brenda Kuvendit janë futur edhe efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Futja e tyre brenda ambienteve të Kuvendit ka shkaktuar përplasje mes kreut të Gardës, Ermal Onuzi dhe vartësve të tij. Gjithashtu, PD ka pasur pretendime se një punonjës i FNSH u ka drejtuar armën. Menjëherë reagoi Policia duke sqaruar se sipas ligjit për tubimet, asnjë efektiv nuk lejohet që të shkojë i armatosur në protesta. Megjithatë ky version nuk është pranuar nga opozita që ka paralajmëruar një padi në SPAK. Padi ka paralajmëruar edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha pasi gjatë seancës dyshohet se Elda Hoti hodhi benzinë në sallë. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike lajmëruan se aksioni i mosbindjes civile vazhdon, por sërish skenarët i kanë mbajtur sekret. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë hapi i radhës.