TIRANË- Kjo kartë identiteti nuk do të përdoret më vetëm në formën e saj fizike. Nga janari i vitit 2026, qytetarët shqiptarë do të mund të krijojnë identitetin digjital në telefonin e tyre.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Rama, i cili theksoi se Shqipëria do ta zbatojë këtë sistem një vit përpara Bashkimit Europian, pasi në vendet europiane, ky projekt është parashikuar të implementohet në vitin 2027.
Çfarë përfitimesh do të sjellë portofoli elektronik?
Këtë e sqaron vetë kryeministri Rama.
“Kjo do të thotë shumë më tepër siguri, transparencë për biznesin dhe kjo do të thotë shumë më tepër të ardhura nga ajo pjesë që i takon konsumatorit dhe që në një masë të madhe mbetet jashtë duarve të tij për shkak të informalitetit dhe për shkak të trukeve të ndryshme që do reduktohen maksimalisht, në mos do të asgjësohen plotësisht falë transaksioneve digjitale, që është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar,” tha Rama.
Gjithashtu, identiteti digjital i Shqipërisë pritet të bëhet pjesë e Portofolit Europian të Identitetit Digjital deri në vitin 2027, për të lehtësuar përdorimin ndërkombëtar të tij.
Kush do ta implementojë këtë projekt digjital në vendin tonë?
Kompania shtetërore “IdentiTek”, e cila merret me aplikimin, prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike të shtetasve shqiptarë do të krijojë portofolin digjital për çdo qytetar. Pak ditë më parë kjo kompani ka testuar aplikacionin e quajtur “IdentiTEK”, të cilin çdo shqiptar do ta ketë të shkarkuar në telefonin e tij në janar 2026.
Ky aplikacion do të jetë një dosje elektronike me të dhëna personale, duke përfshirë kartën e identitetit, pasaportën, patentën, diplomat, vërtetimet shëndetësore dhe certifikata të tjera që qytetarëve mund t’u nevojiten për të marrë një shërbim publik apo privat.
Një risi tjetër e prezantuar nga kreu i shtetit Edi Rama është dhe porta digjitale në aeroportin “Nënë Tereza”.
Nga janari i vitit 2026, të gjithë pasagjerët që do të hyjnë në aeroportin shqiptar “Nënë Tereza”, do të kalojnë përmes kontrollit digjital, pa pasur nevojë për ndalesa apo kontrolle të pashaportave.
I gjithë procesi do të bëhet përmes një porte digjitale, e cila do të skanojë çdo person me anë të fytyrës, në mënyrë që të identifikojë identitetin e tyre. Pamja e personit do të lidhet elektronikisht me biletën dhe të dhënat e personave si një pasagjer. Rama ka theksuar se “Nënë Tereza” do të jetë i pari aeroport në Europë që do të ketë portën digjitale të hyrjes.
A është Shqipëria gati për portofolin digjital dhe si do të përshtaten të moshuarit me këtë risi?
Deri më tani, nuk ka informacion të detajuar nëse kartat fizike do të hiqen plotësisht nga përdorimi dhe se si do të zbatohet procesi në çdo cep të vendit.
Për ta bërë këtë projekt digjital funksional dhe gjithëpërfshirës, është e domosdoshme që të garantohet siguria e të dhënave, aksesi për të gjitha grupmoshat dhe informimi i plotë i qytetarëve./ZËRI