TIRANË- Hamza Erzen Uka dhe Julian Cumraku, u dorëzuan mbrëmjen e djeshme pas 12 orësh rezistencë të bllokuar në një banesë në fshatin Orosh të Fushë Arrëzit. Raportohet se brenda shtëpisë u gjetën 4 automatikë, 1 pistoletë, 7 karikatorë me fishekë, 18 granata dhe rreth 2000 fishekë. Banesa ku ata ishin ngujur raportohet se ishte e gjyshit të 34-vjeçarit Julian Cumraku. Dyshimet nisën pas një kontrolli në terren rreth orës 09:00, ku njëri prej tyre, pasi ka parë efektivët, është larguar me shpejtësi duke hyrë në një banesë të braktisur. Policët i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por ka refuzuar dhe i ka kërcënuar. Në ndihmë kanë shkuar forcat RENEA, por në momentin që u kanë bërë thirrje Hamza Ukës dhe Julian Cumrakut të dalin nga banesa, janë qëlluar me armë nga brenda banesës. Ende nuk është e qartë se si është plagosur Erzen Uka. Ky i fundit ka qenë ish-pjesëtar i forcave paqeruajtëse të Shqipërisë në Irak, dhe është i njohur për policinë për veprime ekstremiste. Cumraku dhe Uka ishin prej kohësh nën vëzhgimin e Antiterrorit.
/ZËRI