
TIRANË- Kompania One, kompania Air Albania dhe Kuvendi i Shqipërisë janë tre institucionet që janë goditur nga hakerat iranianë Homeland Justice. Këto Krishtlindje, grupi i hakerave u ka bërë një ‘dhuratë’ institucioneve shqiptare. Në faqen e tyre kanë publikuar dhe video ku tregohet se aksisi në faqen e Parlamentit, të kompanisë celulare dhe asaj të fluturimeve është i pamundur.
Hakerat kanë paralajmëruar dhe të tjera sulme dhe sipas tyre, kjo është një hakmarrje për ndihmën që Shqipëria u ka dhënë anëtarëve të MEK që strehohen në zonën e Manzës. Nga ‘viktimat’ nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar, ndaj ZËRI ka kërkuar sqarime përmes një e-maili.
Kjo nuk është hera e parë që hakerat iranianë targetojnë kompani private në Shqipri apo edhe institucione. Grupi “Homeland Justice” ka publikuar pak muaj më parë një sërë dokumentash. Mes tyre, kanë qenë lista të zgjedhësve, certifikatat e sigurisë të punonjësve të Ministrisë.
Të dhëna të tjera që janë publikuar prej tyre janë patentat, targat, pagat si dhe listën e punonjësve të SHISH. Ata kanë publikuar dhe të dhënat personale të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, ish-kreut të SHISH, Helidon Bendo, nënkryetarit Oljan Kanushi, ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano si dhe e-mailet e këtij të fundit.
Më 14 prill 2023, Homeland Justice ka publikuar të dhënat e Autoritetit të Dosjeve. Më 27 shkurt 2023, Homeland Justice është futur edhe në mailet e kryeministrit Edi Rama si dhe ka nxjerrë të dhënat e ish-presidentit Ilir Meta e të ambasadores amerikane Yuri Kim. Po ashtu, janë marrë të gjitha të dhënat nga sistemi TIMS, ku janë shënuar hyrjet dhe daljet e kryeministrit. Gjithsej, numërohet jo pak, por 137 fluturime me charter.
Më 12 dhjetor 2022, Homeland Justice ka publikuar certifikatat e sigurisë së punonjësve të Ministrisë së Brendshme. Më datë 19 shtator 2022, Homeland Justice kanë publikuar të dhëna tepër konfidenciale për ish-kryepolicin Gledis Nano. Hakerat kanë publikuar të dhënat personale të Nanos përfshirë edhe numrat personalë të tij dhe të trungut familjar, listën e udhëtimeve dhe pagesat në sigurimet shoqërore.