
TIRANË- Jurgis Çyrbja është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe akuzohet për ‘shpërdorim detyre’. Kallëzimi për Çyrbjan ishte bërë nga deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka gjatë kohës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, kohë kur Çyrbja drejtonte hipotekën e Durrësit. Në atë kohë, si drejtues politik i qarkut të Durrësit, Paloka e akuzoi se kishte firmosur brenda të njëjtës ditë dy praktika për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm, duke sjellë mbivendosje të pronës. Vetë deputeti nuk dha asnjë detaj, por u kërkoi gazetarëve që të intesoheshin vetë lidhur me akuzën e ngritur ndaj tij. Kjo nuk është hera e parë që Çyrbja është akuzuar. Në të shkuarën, ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e kishte etiketuar deputetin si bashkëpunëtor të krimit, duke shtuar se kishte favorizuar Emiljano Shullazin për marrje të pronave të Durrës. Jurgis Çyrbja kishte dhe pak muaj mandat, pasi zgjedhjet e ardhshme zhvillohen në maj të vitit që vjen. Ai u zgjodh për herë të parë si ligjvënës në radhët e PS në vitin 2017. Ndërkohë, në vitin 2021 ishte i treti më i votuari i qarkut Durrës me 6583 vota. Vendin e tij në Kuvend, pritet ta zërë Erjon Meka, por Kuvendi i Shqipërisë ende nuk e ka shpallur vakancën për vendin e Çyrbjas në Kuvend.