
TIRANË- Seanca e parë plenare që u zhvillua në Kuvend pas dënimit të deputetit Ervin Salianji, me 1 vit burg, ka zgjatur vetëm 15 minuta. Opozita shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës kanë dalë jashtë sallës së Kuvendit bashkë me karriget e tyre, të cilat i dogjën. Për shuarjen e zjarrit ndërhyri Garda. Deputeti Flamur Noka shkuli një nga mikrofonat në Kuvend dhe ky veprim e detyroi kryeparlamentaren Spiropali që ta përjashtonte nga seanca. Noka paralajmëroi se e njëjta situatë do të jetë në çdo seancë plenare. Më herët gjatë ditës së sotme, deputetët e opozitës si përgjigje kundër arrestimit të deputetit Ervin Salianji bojkotuan Komisionet. Vetëm dy deputetë të opozitës kanë qenë të pranishëm sot në Komisionin për Çështjet Europiane, i cili drejtohet nga Jorida Tabaku. Komisioni Hetimor për koncensionet e Sterilizimit dhe Check-up u shty dhe si shenjë bojkoti mungoi edhe kryetarja, Albana Vokshi. Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Niko Peleshi u shpreh se mazhoranca do vazhdojë të jetë e pranishme ne Komisione e Kuvend dhe seancat do të vazhdojnë normalisht.