
TIRANË- Gjashtë prona të paluajtshme dhe gjashtë automjete të regjistruara në emër të një punonjëseje të Shërbimeve Qeveritare, të identifikuar si Irma Hasani janë vënë në sekuestro nga Prokuroria e Tiranës. Dyshimet janë se këto pasuri janë produkt i pastrimit të parave, pasi vëllai i Hasanit, Oltion Hasani, është arrestuar në Britaninë e Madhe për trafik të lëndëve narkotike. Sipas Prokurorisë së Tiranës, punonjësja në fjalë, Irma Hasani, me një pagë bruto prej rreth 60 mijë lekësh të rinj, nuk e justifikonte blerjen e këtyre pasurive, dhe as transfertat bankare të saj me vlerë qindra mijëra euro. Brenda një periudhe një mujore, Hasani ka përfituar në llogarinë e saj 180.000 euro, para të depozituara nga vetë ajo apo nëpërmjet transfertave bankare, nga ish-kunati, tezja apo njerëz të tjerë të afërt. Një pjesë e tyre ishte transferuar në llogarinë e një noteri, me qëllim blerjen e një apartamenti.