
TIRANË- Një ditë pas akteve të dhunës në Kuvend, Partia Socialiste pritet të mbledhë sot Komisionin e Etikës, ku është kërkuar përjashtimi i 24 deputetëve të opozitës. Partia Demokratike nga ana tjetër ka vendosur që të bojkotojë mbledhjen e komisioneve parlamentare. Ministri i brendshëm Ervin Hoxha tha se policia dhe Garda kanë kryer të gjitha veprimet proceduriale, dhe pamjet filmike do të dorëzohen në SPAK, pasi me aktet e tyre të dhunës deputetët e opozitës rrezikuan jetën e kolegëve. Sjellja e opozitës u dënua dhe nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili bëri thirrje që situata të mos përshkallëzohet. Ambasada Amerikane ka reaguar gjithashtu për kaosin që shoqëroi seancën plenare të një dite më parë dhe ka dënuar veprimet e Opozitës, duke i konsideruar akte dëmtuese që nuk kanë vend në procesin demokratik.