
TIRANË- Robert Kulla, djali i Nehat Kullës që njohet ndryshme si ‘gjenerali’ i ‘97-s, nuk është një emër i panjohur për Policinë e Shtetit. 43-vjeçari u vu në pranga pas përplasjes që pati me njerkën e tij, bashkëshorten e dytë të babait, për vilën që u ka lënë trashëgimi ‘gjenerali’. Konflikti ka qenë i hershëm. Të dy kanë certifikatë pronësie dhe akuzojnë njëri-tjetrin për falsifikim, por përplasjet e vazhdueshme i kanë çuar në dyert e Policisë së Shtetit dhe gruaja e dytë e Nehat Kullës është pajisur me urdhër-mbrojtjeje.
Megjithatë Kulla “junior” është bërë edhe më herët pjesë e kronikave. Ai është arrestuar në shtator të 2016 si autor i dyshuar i grabitjes së një filiali të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ngjarje e ndodhur më 9 gusht të 2016. Robert Kulla u ndalua nga Policia 3 javë pas grabitjes, së bashku me Roland Litin dhe Alan Babameto. Në shtëpinë e Kullës në atë kohë, policia gjeti disa mijëra euro të cilat dyshoheshin se ishin grabitur në bankën në fjalë.
Kulla “junior” pretendonte se ditën që është grabitur banka ai nuk ka qenë në Tiranë, por me pushime së bashku me familjen. Ndërsa për paratë e gjetura tha se janë nga qiratë e tre bizneseve të cilat ai i ka në pronësi. Për këtë arsye, Robert Kulla u lirua disa ditë pas arrestimit. Më herët, ai ka qenë i dënuar për rrëmbim e mbajtje peng personi si dhe për armëmbajtje pa leje./ZËRI