
TIRANË- Masa për plotësimin e mungesave të forcës punëtore me të huaj po rezulton jo funksionale. Shumë biznese pohojnë se janë tërhequr nga rekrutimet e aziatikëve nga frika e largimit, por edhe kostove të larta të mbajtjes së tyre deri në 600 USD në muaj që nuk justifikohen me rendimentin e punës. Janë të shumtë drejtuesit e kompanive prodhuese dhe ofrimit të shërbimeve që pohojnë se janë tërhequr nga marrja në punë e të huajve, nga frika e largimit të tyre, pasi në shumë raste, Shqipëria përdoret si vend trampolinë për t’u punësuar drejt shteteve të BE-së. Fillimisht, trendi për punësimin e të huajve në Shqipëri nisi të zbatohet nga familjet e pasura.
Ndër punonjëset e para që u punësuan prej tyre, vite më parë, si pastruese apo kujdestare fëmijësh, ishin filipinaset. Për shkak të rënies së fitimeve nga zhvlerësimi i kursit të këmbimit të monedhave të huaja, në tërësi sektori fason e ka të pamundur të ruajë vendet e punës, si për vendasit, edhe për punëtorët e huaj. Krahu i lirë i punës në Shqipëri vitet e kaluara ishte një ndër avantazhet konkurruese për punësimet e vendasve në kompanitë e huaja të sektorit fason dhe call center në Shqipëri. Si në shumë sektorë të ekonomisë, edhe bizneset call center në Shqipëri po i drejtojnë sytë për punësime të anglishtfolësve nga Tunizia, Maroku apo Filipinet.
Por nëse do të zbatohet kjo masë, për sektorin në tërësi, do të jetë si thikë me dy presa. Nga njëra anë do të mbushë gropën e burimeve njerëzore nga emigrimi, dhe në tjetrën do të humbasë avantazhin konkurrues. Edhe përvoja e punonjësve nga Egjipti nuk përputhet me nevojat e bizneseve shqiptare, kryesisht për sektorin e transportit apo prodhimit të mobilieve.Bangladeshi është një vend me fuqi të madhe punëtore dhe punëtorët e tij kanë qenë një kontribuues i rëndësishëm në ekonomi nëpërmjet dërgesave të tyre.