Video

Mbreti i artë afrikan

Mbreti afrikan kishte bërë që një qytet të lëvizte në shkretëtirë.

Redaksia Zëri
Mbreti i artë afrikan
Mansa Musa

AFRIKË- Njeriu më i pasur që ka pasur planeti ndonjëherë ishte afrikan. Mansa Musa, sundimtari i Afrikës Perëndimore në shekullin e 14-të, ishte aq i pasur sa kur vendosi të tregonte bujarinë e tij duke dhuruar para, shkatërroi ekonominë e një shteti të tërë. Ai lindi në vitin 1280 në një familje sundimtarësh. Vëllai i tij, Mansa Abu-Bakr, sundoi perandorinë deri në vitin 1312, e më pas abdikoi për të shkuar në një ekspeditë.

Mansa Musa trashëgoi mbretërinë që la pas. Nën sundimin e tij, mbretëria e Malit u rrit ndjeshëm. Ai aneksoi 24 qytete, përfshirë edhe Timbuktu-n. Mbretëria shtrihej për rreth 3200 km, nga Oqeani Atlantik deri në Nigerin e sotëm, duke përfshirë pjesë të atyre që tani janë Senegal, Mauritania, Mali, Burkina Faso, Gambia, Guinea-Bissau, Guinea dhe Bregu i Fildishtë. 

Përgjatë një hapësire kaq të madhe toke kishte burime të mëdha ari dhe kripe. Gjatë mbretërimit të Mansa Musa, në perandorinë e Malit gjendej pothuajse gjysma e arit të Botës. Në territor kishte edhe qendra të mëdha tregtare që tregtonin ar dhe mallra të tjera dhe kjo i dha mbretërisë shumë pasuri. Pavarësisht se Mali kishte shumë ar, në atë kohë mbretëria nuk njihej shumë. Kjo ndryshoi kur Mansa Musa, një musliman i devotshëm, vendosi të shkonte për pelegrinazh në Mekë, duke kaluar nëpër shkretëtirën e Saharasë dhe Egjipt. Thuhet se mbreti u largua nga Mali me një karvan prej 60,000 burrash. Ai mori të gjithë oborrtarët e tij, tregtarë, dhe 12,000 skllevër, si dhe kullota të mëdha me bagëti për ushqim.

Mbreti afrikan kishte bërë që një qytet të lëvizte në shkretëtirë. Në këtë qytet, edhe skllevërit mbanin veshje me fije ari si edhe mëndafshin më të mirë persian. Njëqind deve ishin ngarkuar me qindra kilogramë ar të pastër.
Kur karvani gjigand arriti Kajron, banorët e qendrës egjiptiane panë pasurinë e madhe që mbreti i Malit e shërbëtorët e tij kishin.

Mansa Musa la një përshtypje aq të paharrueshme në Kajro, saqë njerëzit flisnin me superlativa për të edhe një dekadë pas largimit. Kjo sepse mbreti i Malit isthe aq dorëlëshuar duke dhuruar ar, saqë kjo bëri që çmimi i metalit të çmuar në rajon të binte në 10 vitet në vazhdim, duke shkatërruar ekonominë. Sipas studiuesve, pelegrinazhi i Mansa Musas i shkaktoi Lindjes së Mesme 1.5 miliardë dollarë humbje ekonomike. Gjatë kthimit në shtëpi, Mansa Musa kaloi përsëri nëpër Egjipt dhe u përpoq të ndihmonte ekonominë e vendit duke hequr një pjesë të arit nga qarkullimi.

Ai e mori hua në këmbim të normave të larta të interesit krerëve egjiptianë.

Sjellja e tij shkaktoi edhe mërzi brenda mbretërisë për faktin se ai u tregua aq shumë dorëlëshuar sa shpërdoroi pasurinë e kombit. Shpenzimet e jashtëzakonshme të mbretit afrikan bënë që Mali të vendosej në qendër të botës. Kryeqyteti Timbuktu u kthye në një El Dorado afrikan dhe njerëzit erdhën nga afër dhe larg për ta parë atë.

Në shekullin e 19-të, Timbuktu mbante një status mitik si një qytet i humbur prej ari, u kthye në dëshirën më të madhe për eksploruesit anembanë botës dhe kjo kryesisht për shkak të bëmave të Mansa Musa-s 500 vite më parë. Mansa Musa u kthye nga Meka me disa studiues islamikë, përfshirë pasardhës të drejtpërdrejtë të profetit Muhamed dhe një poet dhe arkitekt andaluzian me emrin Abu Es Haq es Saheli, i cili projektoi xhaminë e famshme Djinguereber.

Thuhet se mbreti e pagoi poetin 200 kg ar, që me paratë e sotme do të ishte 8.2 milion dollarë.

Përveçse inkurajoi artet dhe arkitekturën, ai gjithashtu financoi letërsinë dhe ndërtoi shkolla, biblioteka dhe xhami. Timbuktu shpejt u bë një qendër edukimi dhe njerëz udhëtuan nga e gjithë bota për të studiuar në atë që do të bëhej Universiteti Sankore. Pasi "mbreti i artë" vdiq në vitin 1337 në moshën 57-vjeçare, mbretëria u trashëgua nga djemtë e tij, të cilët nuk mundën ta mbanin të bashkuar.

Shtetet më të vogla u shkëputën dhe Mali u shkatërrua. Ardhja e mëvonshme e evropianëve në rajon ishte gozhda e fundit në arkivolin e mbretërisë./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB