TIRANË-Vrasja e 49-vjeçarit Jani Aliaj brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhalo ka marrë një kthesë të re, ndërsa grupi hetimor ka ngritur dyshime të forta se autor i krimit mund të jetë Xhuliano Halili, 44 vjeç, nga Tepelena, i dënuar me burgim të përjetshëm. Halili ndodhej në të njëjtin sektor me viktimën dhe në qeli pranë tij. Ai rezulton i plagosur gjatë ngjarjes, çka ka shtuar dyshimet se ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në vrasje. Fillimisht, përgjegjësinë për krimin e mori përsipër një i burgosur grek, i cili iu vetëdorëzua policisë duke deklaruar se ishte autori. Megjithatë, autoritetet kanë vënë re se në trupin e tij nuk ka shenja përleshjeje, ndërsa i vetmi i dëmtuar fizikisht në vendngjarje ishte Xhuliano Halili. Dyshohet se brenda komunitetit të burgjeve është përfolur që në orët e para se Halili është autori i vërtetë, ndërsa i burgosuri grek dyshohet se është kërcënuar ose paguar për të marrë fajin. Këto indicie kanë shtyrë policinë greke të hetojë pistën e manipulimit të dëshmisë.
/ZËRI