TIRANË- Parlamenti nisi të hënën sesionin e ri parlamentar, një mbledhje që zgjati jo më shumë se 30 minuta, pasi Partia Demokratike bllokoi foltoren. Demokratët kërkuan nga kryeparlamentari Niko Peleshi që t’i japë SPAK-ut autorizimin e Kuvendit për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Më 22 janar Kuvendi u mblodh sërish për ratifikimin e marrëveshjes së aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, një ftesë e bërë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për kryeministrin Edi Rama. Pas debateve dhe akuzave të njëpasnjëshme të opozitës ndaj qeverisë dhe kryeministrit, Kuvendi miratoi me 110 vota pro aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Në të njëjtën ditë, në Davos vendet anëtare të Bordit të Paqes firmosën marrëveshjen, ku e pranishme ishte dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa kryeministri Rama ndodhej në Shqipëri. Ai argumentoi se zgjodhi të qëndronte në Shqipëri për të pritur vajzën e Trump, Ivanka Trump. Ajo kishte mbërritur në brigjet e jugut në kuadër të investimeve që do të realizojë së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, në Zvërnec dhe Sazan.
View this post on Instagram
Në të njëjtën ditë u mblodh edhe Gjykata Kushtetuese për ankimimin e Ramës ndaj pezullimit nga detyra të kërkuar nga GJKKO për Belinda Ballukun. Në seancën që zgjati katër orë, përfaqësuesit e Kuvendit, Qeverisë, Presidencës dhe SPAK-ut, paraqitën argumentet e tyre para trupës gjykuese. Pas dëgjimit të palëve, Gjykata Kushtetuese e mbylli mbledhjen pa marrë një vendim, i cili pritet të dalë në një moment të dytë.
Gjatë javës, Veliaj depozitoi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidencës për periudhën 2007-2012 dhe prokurorit të posaçëm, Ols Dado. Ai kërkoi pavlefshmërinë e dekretimit të Ols Dados si prokuror në vitin 2008. Në padinë e tij, Veliaj shprehet se emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit, duke mos pasur shkollën përkatëse të Magjistraturës.
Ndërsa java u mbyll me protestën e thirrur nga opozita, me në krye Sali Berishën. Para Kryeministrisë, opozita kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, si dhe formimin e një qeverie teknike. /ZËRI