
MALI I ZI- Ministri shqiptar në Malin e Zi, Marash Dukaj është kërcënuar nga Binali Camgoz, një mafioz turk, të cilit i kishte premtuar se do t’i jepte mundësinë të përfitonte azil në vendin fqinj. Kur kjo gjë nuk ka ndodhur, Camgoz, për tu hakmarrë e ka kërcënuar ministrin shqiptar përmes anëtarëve të klanit kriminal Kavaç. Gjithçka ka ndodhur në kohën kur Dukaj ishte anëtar i qeverisë së kryeministrit shqiptar Dritan Abazoviç. Vetë ministri, ka rrëfyer para autoriteteve se nuk i kishte premtuar asnjë lloj strehimi mafiozit turk, duke shtuar se këtë gjë mund ta kishte bërë një shqiptar i Kosovës në emër të tij. Bëhet fjalë për Indrit Kolleshin, të cilin Dukaj e kishte mik dhe me të kishte biseduar për çështjen e Camgozit. Indrit Kolleshi i njohur dhe si Indrit Aliu është dënuar për mashtrim në Shqipëri pasi ka përvetësuar para nga biznesmenë, të cilëve iu prezantohej si zyrtar i lartë dhe u premtonte tendera. Ndërsa Binali Camgoz alias Mehmet Ali Bayhan është lider i një grupi kriminal, i përfshirë në vrasje, plagosje, rrëmbim, ndalim, zhvatje dhe tortura të kryera në Izmir të Turqisë.