Dita e hënë nisi me seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku krerët e institucioneve të drejtësisë raportuan para ligjvënësve.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, u shpreh se puna e institucionit që ai drejton është vlerësuar nga BE dhe DASH për progresin në trajtimin e çështjeve kriminale. Në raportin e SPAK për vitin 2024, Dumani deklaroi se nën hetim janë 10 zyrtarë të lartë publikë, të cilët janë dënuar me vendim të gjykatave të formës së prerë.
Të enjten, në seancën parlamentare, u hodh në votim shkarkimi i kryeparlamentarit Niko Peleshi me kërkesë të opozitës. PD e akuzoi Peleshin për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit, por në votim morën pjesë vetëm 10 deputetë opozitarë. Kërkesa u rrëzua me 79 vota kundër, ndërsa Peleshi deklaroi se nuk ka shkelur Kushtetutën. Përveç Peleshit, opozita dërgoi një kërkesë për rrëzimin e presidentit Bajram Begaj, duke e akuzuar se ka shkelur Kushtetutën, por edhe kjo kërkesë u rrëzua në Komisionin e Ligjeve.
Të premten ndodhën tre ngjarje të bujshme. Erion Veliaj la qelinë dhe qëndroi për 7 orë në Gjykatën Kushtetuese për të bërë mbrojtjen e tij lidhur me shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Pas një seance maratonë, trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese u tërhoq për vendim. Ende nuk kemi në datë apo orë se kur do të dali ky vendim.
Gjatë mesditës, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Ministrja është marrë në hetim për një nga procedurat e prokurimit për tunelin e Llogarasë, konkretisht për aksin Orikum-Himarë.
Në të njëjtën ditë, politika shqiptare mori lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, pasi ai ndodhej prej 24 ditësh në reanimacion. Politikanë socialistë e demokratë, presidenti Begaj dhe figura të shumta politike shprehën vlerësime dhe ngushëllime për figurën e Nanos.
View this post on Instagram