
TIRANË- Kasandër Noga, një nga emrat më të vjetër të botës së krimit në Shqipëri do të njihet me një tjetër masë sigurie “arrest me burg”. Kësaj here, përmes një letërporosie që do t’i shkojë në Belgjikë, atje ku ndodhet i mbyllur për një tentativë vrasjeje. Për ironi të fatit, 46-vjeçari që sot ka dosje të mëdha krimesh mbi shpinë, ka pasur tjetër ambicie. Noga ka qenë student i Akademisë së Policisë, por është përjashtuar para se të diplomohej, pasi pas një sherri në ambientet e shkollës, plagosi me thikë një student nga Lushnja, me të cilin rezultoi se kishte dhe lidhje gjaku. Noga përshkruhej si njeri problematik, gjakftohtë, por shumë inteligjent. Hakmarrja që nuk ka mbaruar edhe pas 24 vitesh, ka nisur si pasojë e një sherri mes një grupi të rinjsh që ndodhi në Patos. Kasandër Noga u konfiktua me Gentianin, vëllain e Erion dhe Geron Hasanbellit, por ky sherr do të shndërrohej në një vatër konflikti që ende nuk është mbyllur dhe që bën të shkrehen armët sa në Tiranë e Belgjikë. Shkëndija ishte ndezur dhe mjaftonte një shkak që Noga të futej tërësisht në lojë kundër Hasanbellinjve. Dhe ky shkak nuk vonoi!
Erion Hasanbelliu u largua në emigracion në Itali. Përmes një telefonate, ai kontaktoi Mariglen Hodajn që jetonte në Itali dhe i dha një shumë parash që t’ia dërgonte babait të tij, Aqif Hasanbellit në Patos. Por, Marigleni nuk i dorëzoi paratë dhe për këtë arsye, më 4 gusht të vitit 2000 u vra në qytetin e Patosit. Nga shkëmbimi i zjarrit, mbeti i plagosur djali tjetër i familjes Hasanbelli, Geroni. Pas organizimit të këtij krimi qëndronte Erion Hasanbelli, ndërsa Hodaj ishte miku i ngushtë i Nogës, ndaj dhe ‘loja’ nisi fuqishëm. Geron Hasanbelli u transferua me emër të rremë në spitalin e Sanatoriumit, por Noga e gjeti. Ai studio lëvizjet e të afërmve të tyre dhe më 19 gusht të vitit 2000, Kasandër Noga hyri në Sanatorium i shoqëruar nga Julian Çela dhe shkelmuan dhomën e reanimacionit ku ndodheshin të shtruar Aqif Hasanbelli (babai i vellezërve Hasanbelli) dhe Dritan Hajdini, shoku i Geronit. Fillimisht ata u hoqën sërumin nga krahu të shtruarve dhe më pas qëlluan me breshëri automatiku, duke i lënë të vdekur në vend. Ngjarja mori emrin ‘masakra e Sanatoriumit’. Geron Hasanbelli vendosi që të ‘lante’ gjakun e babait. Ky i fundit bashkë me vëllanë ekzekutuan Julian Celën dhe plagosën rëndë Kasandër Nogën në Belgjikë në vitin 2002. Pas ngjarjes në Belgjikë, Geroni arriti të arratisej dhe u strehua në Itali, ku u arrestua në vitin 2009 dhe u ekstradua në Shqipëri. Kurse Kasandër Noga, autori i masakrës u arrestua nga policia belge u ekstradua në Shqipëri, pasi mbi të rëndonte një dënim me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, autoritetet belge sollën dosjen në Shqipëri. Geron Hasanbelli u shpall i pafajshëm dhe u liria, ndërsa i vëllai, Erioni u dënua me 25 vjet burg.
Çështja shkoi në Apelin e Vlorës e cila dënoi dhe Geronin me 14 vite burg. Në zbatim të këtij vendimi Geron Hasanbelli u riarrestua. Më kalimin e kohës, vëllezërit Hasanbelli u liruan, por Noga sërish i mbante nën mbikëqyrje. Kështu, në vitin 2022, Noga ndoqi dhe qëlloi me gjashtë plumba në një tapet të kuq në zemër të Brukselit, Erion Hasanbellin. Hasanbelli mbijetoi, ndërsa një vit më vonë, Noga u vu në pranga. Edhe pas pas hekurave, Noga që tashmë kishte në krah të besuarin Kevin Zeneli (Suçi), thurte planet për tu hakmarrë dhe për të ekzekutuar vëllezërit Hasanbelli e nipat e tyre. Kështu, Kevin Zeneli (Suçi) ka kontaktuar më pas Ilirian Feçin dhe vëllëzerit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, të cilëve iu dha para për të eliminuar Erion Hasanbellin dhe nipat e tyre. Fillimisht, vrasja u mor përsipër nga vëllezërit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, por pas disa kohësh ata janë tërhequr nga frika, dhe për vrasjen e shtetasit Hasanbellit e të nipave të tij, Kasandër Noga dhe Kevin Zeneli (Suçi) kanë kontaktuar dy persona të tjerë, që ende nuk janë identifikuar. Më datë 4 janar të vitit 2022, Kevin Zeneli (Suçi), në bashkëpumim me dy personat e tjerë, ende të paindentifikuar, qëlluan me armë zjarri drejt një lokali në Don Bosko, për të vrarë Hasanbellin, por ngatërruan objektiv. Si pasojë e të shtënave u vra Erion Çela dhe u plagosën katër persona të tjerë. Grupi Noga sërish dështoi….por a do të ndërpritet këtu zinxhiri i hakmarrjeve?