
TIRANË- Dy vite pas masakrës së ndodhur në Don Bosko, ku mbeti i vrarë Erion Çela, si dhe u plagosën katër persona të tjerë: Blerim Çela, Edmond Crroj, Arben Dani dhe Azbi Selimaj, është zbardhur e gjithë kronologjia e ngjarjes së rëndë. Kasandër Noga, i cili ndodhet në burg në Belgjikë, në bashkëpunim me Kevin Zeneli (Suçi), i cili është ende në kërkim, kanë zhvilluar takime dhe biseda, kanë siguruar dhe kanë dhënë shuma monetare, me qëllim vrasjen e Geron Hasanbellit dhe të dy nipave të tij, për shkak të një hasmërise të vjetër, që Noga, ka prej disa vitesh me vëllëzerit Erion Hasanbelli alias Mikel Rakipllari dhe Geron Hasanbelli.
Fillimisht, vrasja është marrë përsipër nga vëllezërit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, por pas disa kohësh ata janë tërhequr nga frika, dhe për vrasjen e shtetasit Hasanbellit e të nipave të tij, Kasandër Noga dhe Kevin Zeneli (Suçi) kanë kontaktuar persona të tjerë, të paidentifikuar deri tani. Kështu, më datë 4 janar të vitit 2022, Kevin Zeneli (Suçi), në bashkëpumim me dy persona të tjerë, ende të paindentifikuar, si porosi e Kasandër Nogës, kanë qëlluar me armë zjarri drejt një lokali në Don Bosko, për të vrarë Hasanbellin, por ngatërruan objektiv, dhe si pasojë e të shtënave u vra Erion Çela dhe u plagosën katër persona të tjerë.
Indrit Beqiraj, Gentian Beqiraj, Ilirjan Feçi, ndodhen aktualisht pas hekurave dhe është caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’. Noga ndodhet në burg në Belgjikë, dhe ekzekutimi i masës së sigurimit personal ndaj tij do të bëhet nëpërmjet letër-porosisë, ndërsa Kevin Zeneli (Suçi) vijon të mbetet në kërkim. Në burg është lënë edhe Roland Ahmetsulaj, i cili ka një njësi shërbimi që merret me riparim automjetesh, shërbim karrotreci, shit-blerje automjetesh dhe rezulton se ditën e ngjarjes ka qenë në afërsi të vendngjarjes, dhe ka komunikuar me Kevin Zeneli (Suçi).