TIRANË- Shqipëria vijoi edhe në vitin 2025 të kishte peshën më të lartë të ndërtimit në ekonomi në Europë. Monitor shkruan se në raport me madhësinë e ekonomisë, pesha e ndërtimit në Shqipëri është rreth 2.5 herë më e lartë se mesatarja e BE-së. Asnjë vend tjetër i përfshirë në të dhënat e Eurostat nuk i afrohet nivelit të Shqipërisë. Pesha e lartë e ndërtimit është bërë një nga tiparet më dalluese të modelit ekonomik shqiptar të viteve të fundit. Ndërtimi dha 0.54 pikë përqindje të rritjes ekonomike, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhanë 0.45 pikë përqindje. Investimet rezidenciale, projektet e mëdha infrastrukturore dhe zgjerimi i ndërtimeve turistike, veçanërisht në zonat bregdetare, kanë mbajtur të lartë aktivitetin e sektorit, një pjesë e të cilit ka rezultuar se është financuar me para informale, sipas gjetjeve të SPAK. Ndonëse ndërtimi po jep kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike, pesha e tij në punësim është minimale.
/ZËRI