TIRANË- Pasi Gjykata e Posaçme vendosi masën 'arrest me burg' për ish-zyrtarin e Policisë Uljan Shpataraku, ky i fundit është transferuar në burgun e Peqinit. Shpataraku u arrestua pasditen e 26 gushtit, teska po drejtonte mjetin tip ‘Audi’, me të cilin po lëvizte biznesmeni Ergys Agasi. GJKKO vendosi arrest me burg edhe për Agasin, i cili ndodhet në ambientet e paraburgimit të Bradasheshit. Ndërkohë ish-efektivit Shpataraku i është hequr edhe leja e armës. Gjatë kontrolleve në banesën e tij u zbulua se Shpataraku mbante gjithashtu me leje një arsenal armësh private, me 3 pistoleta, 2 shotgun dhe 2 pushkë. ZËRI raportoi mbrëmjen e 26 gushtit se Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip 'Audi' bashkë me Uljan Shpatarkun nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, kur u vendos në ndjekje në një operacion të përbashkët nga SPAK dhe Policia e Durrësit.
/ZËRI