
TIRANË- Në vitin 2023, vendi ynë ka importuar 26,8 miliardë lekë produkte farmaceutike, por vetëm rreth 12 miliardë janë mbuluar nga fondi i rimbursimit. Të dhëna ndërkombëtare tregojnë se vendi ynë ka ende një konsum të ulët për frymë të produkteve farmaceutike, por në të njëjtën kohë përballen me shpenzime të larta nga xhepi në krahasim me Rajonin dhe vendet e tjera të Europës. Fondet e ulëta të rimbursimit kanë çuar konsumin e barnave drejt alternativave të lira që vijnë kryesisht nga Turqia. Shqiptarët kanë akses të ulët te barnat kryesore që trajtojnë sëmundjet kardiovaskulare, onkologjinë, autoimunet, nervoret etj. Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Përfaqësive Farmaceutike tregojnë se barnat e reja që kanë një trend të lartë shitje në tregjet europiane dhe ato të rajonit ende nuk kanë hyrë në tregun shqiptar. Ato kushtojnë shumë dhe nuk janë të përballueshme për pacientët, pasi shteti nuk i rimburson. P.sh. në Shqipëri nuk janë të pranishme të tilla si Apixaban, Pembrolizumab që trajtojnë sëmundje autoimune. Tregu shqiptar është në zhvillim e sipër, ku barnat tradicionale gjenerike dhe ato jashtë patentës përfaqësojnë 76%, ndërsa trajtimi spitalorë specializuar dhe me terapi inovative vetëm 24%. Financimet e ulëta buxhetore bëhen shkak për rimbursim të ulët të medikamenteve, që kurojnë sëmundje të tilla si kanceri dhe autoimunet.