
TIRANË- Zhvillimi i tregut në arsimin privat, programeve pas shkollës, çerdheve, kopshteve dhe qendrave private të kurseve i ka rritur shpenzimet e shqiptarëve për shërbimet arsimore. Të dhënat e INSTAT tregojnë se ndërmarrjet në sektorin e arsimit realizuan xhiro totale në 20,4 miliardë lekë ose 200 milionë euro në vitin 2023. Kjo shifër ishte 100% më e lartë se xhiroja që këto aktivitete kanë realizuar në vitin 2014, sipas Monitor. Nga viti 2018, të ardhurat e bizneseve të arsimit filluan të shfaqin një rritje të shpejtë.
Pavarësisht efekteve negative të pandemisë 2020, ku shkollat u mbyllën tërësisht për më shumë se tre muaj, të ardhurat e bizneseve të arsimit ishin më larta se në vitet e mëparshme, duke arritur 13 miliardë lekë. Pas vitit 2020, rritja ishte më e fortë duke arritur kulmin në vitin 2023 me 20,4 miliardë lekë. Shpenzimet e shqiptarëve për shërbimet arsimore pësuan rritje vjetore me 17% më 2023, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së tarifave. Sektori i arsimit ka përjetuar zhvillim të qëndrueshëm në Shqipëri, me një rritje të vazhdueshme të të ardhurave, veçanërisht pas vitit 2017, ç’ka tregon se Shqiptarët kanë rritur ndejshëm shpenzimet nga buxhetet e tyre për këto shërbime. Rritja e xhiros në bizneset që ofrojnë shërbime edukimi po vjen në një kohë ku numri i fëmijëve po ulet me shpejtësi nga pakësimi i lindjeve dhe emigracioni i lartë. Të dhëna të tjera të zyrtare tregojnë se bizneset në sektorin e arsimit kanë përqindje të lartë të falimentit vitet e fundit. Për shkak të pagave të ulëta, shumë familje shqiptare konsiderojnë emigrimin si një mundësi për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Teksa shërbimet arsimore po shtrenjtohen nga viti në vit, cilësia e arsimit kanë rënë ndjeshëm sipas të dhënave nga testi Global i Njohurive PISA. Shqipëria ishte vendi me rënien me të madhe të njohurive në testin e vitit 2022 në raport me 2018. Qeveria shqiptare nuk ofron mbështetje e drejtpërdrejtë për familjet me të ardhura të ulëta me fokus arsimin e fëmijëve. Kjo krijon një hendek të madh mes atyre që mund të përballojnë shpenzimet për arsim me cilësi të lartë dhe atyre që janë të detyruar të përballen me mundësi më të kufizuara.