
TIRANË- Një grup besimtarësh kanë tentuar të përzënë myftiun e Tiranës, Laurent Luli nga xhamia “Dine Hoxha” në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Videoja ku duket situata tensionuese është publikuar sot, dhe tregon besimtarët e revoltuar me myftiun, të cilin e quajnë gylenist, terrorist e pushtues. Kjo video vjen vetëm një ditë pasi Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan i rikujtoi edhe njëherë porosinë kryemnistrit Edi Rama në Ankara, për spastrimin e Shqipërisë nga gylenistët. Megjithatë, nuk dihet nëse videoja është xhiruar dje, apo është rikthyer në vëmendje e është bërë virale pas deklaratës së Erdogan.
Fethullah Gylen, rivali kryesor i presidentit Erdogan konsiderohet terrorist nga Turqia. Lëvizja Hizmet, që ka miliona mbështetës në Turqi është shpallur terroriste. Erdogan ka fajësuar Gulenin se qëndron prapa grusht-shtetit të dështuar më 15 korrik të 2016-s në Turqi, dhe prej atëherë, autoritetet turke kanë arrestuar mijëra persona dhe shumë të tjerë i kanë larguar nga puna, pas dyshimeve se janë gylenistë. Gulen ka financuar shkolla, media dhe organizata joqeveritare. Kjo lëvizje operon në mbi 150 shtete të botës, mes tyre dhe në Shqipëri e Kosovë, ku gjenden shkollat e arsimit fillor dhe të mesëm "Mehmet Akif"./ZËRI