TIRANË- Hetimet vijonë për ngjarjen e 14 prillit, ku një zjarr masiv përfshiu pallatin 12 katësh të "Arlis", pranë QSUT-së. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pasi janë administruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth është hedhur dritë mbi ngjarjen. Zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga pakujdesia e disa të miturve, të cilët dyshohet se kanë djegur disa kartona në pjesën e pasme të një marketi, aty ky nisën flakët në fillim. Edhe Policia në njoftimin zyrtar raportoi se shkaku kryesor i zjarrit kanë qenë mbeturinat e marketit në katin e parë, që përpiu më pas të gjithë ndërtesën. Apartamentet që u dogjën do të rindërtohen nga kompania e ndërtimit, ndërsa orenditë shtëpiake do të dëmshpërblehen nga Bashkia e Tiranës. Lidhur me rastin janë arrestuar 4 persona dhe dy të tjerë janë në hetim, mes tyre edhe pronari i kompleksit Armando Lilo.
/ZËRI