
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur marrjen në pyetje të disa zyrtarëve të Policisë së Shtetit, lidhur me takimet e paautorizuara që këta të fundit kanë pasur me kolegun e tyre të paraburgosur, Roven Zeka.
Ende nuk dihen emrat, por bëhet me dije se SPAK ka nisur marrjen e deklarimeve për të paktën 2 shefa të komisariateve në kryeqytet. Duke inspektuar edhe kamerat e sigurisë, SPAK ka pyetur personat përgjegjës në Bllokun e Sigurisë në “Mine Peza”, për të zbuluar më shumë lidhur me takimet e Zekës me kolegët e tij. Po ashtu, raportohet se janë sekuestruar edhe pajisje telefonike. Subjekt i hetimit të prokurores Elida Kaçkini është edhe një personazh i njohur në botën e biznesit, por identiteti i tij nuk është bërë me dije. Roven Zeka bashkë me shefin e Sektorit të Aksidenteve, Sokol Novaku dhe oficerin e policisë gjyqësore Edison Tabaku u vunë në pranga pasi sipas SPAK janë përfshirë në korrupsion pasiv.