TIRANË- Monopatinat elektronike nuk do të jenë më në qarkullim. Vendimi hyri në fuqi këtë të hënë, pasi ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda bënë publike rregullat e reja për sigurinë publike në lidhje me përdorimin e monopatinave elektrike. Bllokimi i mjeteve elektrike me dy rrota erdhi pas shtimit të numrit të aksidenteve rrugore. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me policitë bashkiake në të gjitha qarqet, ka nisur bllokimin e tyre deri në një udhëzim të dytë. Prej orëve të para të mëngjesit të së hënës, policia u pozicionua në disa prej segmenteve kryesore në kryeqytet për bllokimin e mjeteve elektrike me dy rrota. Me dhjetëra qytetarë u ndaluan duke lëvizur me këto mjete. Megjithatë, ndalimi i monopateve do të jetë për një kohë të caktuar. Autoritetet njoftuan se kjo masë ndalimi do të vijojë deri në saktësimin e rregullave dhe hapësirave për përdoruesit e këtyre mjeteve, duke nisur që nga korsitë, rrugët apo hapësirat dhe deri te mosha e përdorimit.
/ZËRI