TIRANË- Pas aktori Florjan Binaj u vetëshpall kandidat i pavarur për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, ka ardhur menjëherë mbështetja e forcave opozitare. E para që doli publikisht dhe e mbështeti kandidaturën e aktorit të humorit ishte “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt. Lapaj njoftoi nëpërmjet Facebook-ut mbështetjen për Binajn, duke theksuar se ky vendim bazohet me bindjen se “Shqipëria vlen më shumë se partia.”
Të njëjtën lëvizje bëri dhe partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike.
Pasi mori mbështetjen e “Shqipëria Bëhet”, “Nismës Thurje”, Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, edhe Partia “Mundësia” e Agron Shehajt u shpreh se do ta mbështesë kandidaturën e Florjan Binajt.
Tashmë opozita del me kandidatin e pavarur Florjan Binaj, Partia Socialiste me kandidaten Ogerta Manastirliu dhe Lëvizja BASHKË me kandidatin Arlind Qori.
Edhe pse PS-ja kishte ndezur motorët e fushatës, ashtu edhe forcat e tjera, duket se zgjedhjet në Tiranë nuk do të zhvillohen, ashtu si i kishte dekretuar më 1 tetor Presidenti Bajram Begaj.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dekretin e Presidentit për zgjedhjet e 9 nëntorit. Vendimi erdhi pasi Kushtetuesja u aktivizua nga Erion Veliaj, i cili ankimoi shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës. Kushtetuesja do të zhvillojë seancë publike më 31 tetor për të shqyrtuar kërkesën e Veliajt dhe, deri në fund të tetorit, zgjedhjet për kryebashkiakun e Tiranës janë pezulluar.
Pas këtij vendimi kanë reaguar dy forcat e mëdha politike, PS dhe PD. Sipas mazhorancës, ky vendim nuk prek zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, ndërsa shton se Gjykata do të jape verdiktin me 31 tetorit. Ndërkohë, në një prononcim për mediat, Berisha përshëndeti vendimin e Kushtetueses, duke e konsideruar një akt të rëndësishëm në mbrojtje të Kushtetutës së vendit.
Menjëherë reagoi edhe zyra e Presidencës, që deklaroi se vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese do të respektohet në përputhje me parimet kushtetuese. Po ashtu, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reagoi pas vendimit të Kushtetueses. Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ-së, deklaroi se janë pezulluar përgatitjet për Tiranën pas vendimit të Kushtetueses. Ai tha se do të vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet në 5 bashki të tjera më datë 9 nëntor.
Më 9 nëntor do të zhvillohen zgjedhjet në Bashkitë Mat, Tepelenë, Vlorë, Cërrik dhe Berat, ku Partia Socialiste ka kandidatët e saj.
Për Bashkinë e Vlorës, PS ka vendosur që postin e kryebashkiakut ta ketë një grua. Bëhet fjalë për deputeten e sapozgjedhur në Parlament, Brunilda Mersini, e cila do të lërë dhe mandatin e deputetes.
Për Bashkinë e Cërriut kandidat do të jetë Florenc Doka, i cili aktualisht mban postin e kryetarit të komanduar në këtë bashki.
Kandidati për bashkinë Berat do të jetë Ervin Ceca, i cili është kryetar i komanduar në detyrë.
Në Bashkinë e Matit kandidon Altin Bojni, i cili është ekonomist në profesion.
Gramoz Sako kandidon në Tepelenë nën logon e PS-së. Sako njihet për karrierën e tij dhjetëvjeçare si Komandant i Gardës së Republikës.
Edhe Partia Demokratike ka zyrtarizuar 5 kandidatët e saj në zgjedhje.
Eduart Brahilika, me profesion avokat do të hyjë në garë për postin e kryebashkiakut në Mat.
Amarildo Hoxha, me profesion doktor, është kandidatura e Partisë Demokratike për zgjedhjet e bashkisë së Cërrikut.
Në Tepelenë, PD ka hyrë në garë Gabriel Gumën, një 26-vjeçar me profesion sipërmarrës.
Në Vlorë, opozita ka zgjedhur të mbështesë Dionis Sotën, i cili ka hyrë në garë si kandidat i pavarur nga partitë politike.
Ndërsa në Berat, opozita ka zgjedhur kandidatin Pavlo Shkarpa./ZËRI