
SHKODËR- Valentina Arrazi ishte personi i fundit që pa gjallë kunatën e saj, Almën dhe tre fëmijët e saj dhe sot është thirrur sërish në prokurori për të dhënë dëshminë e saj, nisur nga dyshimet se mund të ketë gënjyer në dëshminë e parë. Përpara hetuesve, Valentina Arrazi tregon se është futur në një market dhe kur ka dalë, Alma i ka rrëfyer se kishte parë Erdgys Arrazin, bashkëshortin e saj me të dashurën e tij të re. Më pas, shprehet se janë ulur në një kafe dhe rreth orës 20:10 janë larguar që aty pasi Alma i ka rrëfyer se do të shkonte ta merrte i vëllai me taksi e më pas do të shkonin bashkë tek familja e saj në Durrës. Valentina Arrazi shprehet se nuk ka vënë re asnjë shenjë shqetësimi tek Alma dhe se nëse do të kishte kuptuar se ç’do të bënte më pas, nuk do ta kishte lejuar. Përsa i përket faktit që ka telefonuar dikë sapo është ndarë nga Alma, ajo është shprehur se ka lajmëruar bashkëshortin se nuk kishte internet. Dy orë më vonë, siç rrëfen Valentina, kanë komunikuar me motrën e Almës dhe ajo u ka thënë se nuk ka shkuar në Durrës, gjë që ka ngritur dyshimet. Pas telefonatës, e gjithë familja kanë dalë me makina duke kërkuar kudo në rrugët e qytetit nëse mund të gjendej diku, por s’e kanë gjetur dhe të nesërmen kanë bërë kallëzimin në polici. Nga ana tjetër Erdgys Arrazi ndodhet i arrestuar në burgun e Reçit për akuzën “shkaktim të vetëvrasjes”, pas tragjedisë së ndodhur më 2 maj në Shkodër, ku bashkëshortja e tij Alma Arrazi dyshohet se u vetëhodh bashkë me tre fëmijët në lumin Buna. Paraprakisht dyshimet janë se ka qenë dhuna e bashkëshortit që e ka shtyrë nënën e tre fëmijëve të bëjë këtë akt makabër, por deri më tani, 32-vjeçari ka mohuar të gjitha akuzat duke u shprehur se e shoqja vuante nga probleme të shëndetit mendor.