
SHKODËR- Hetimet e kryera nga policia e Shkodrës, rreth atentatit me armë zjarri në drejtim të Selami Brahimit, janë zhvendosur drejt një konflikti familjar. Autori i krimit, 68-vjeçari Sulejman Kapllani, është lokalizuar dhe arrestuar në Berlin. Kapllani dhe Brahimi janë komshinj me njëri-tjetrin dhe sipas burimeve të policisë së Shkodrës, ata kanë lidhje krushqie. Kjo pasi Brahimi ka marrë për grua mbesën e autorit të krimit, Sulejman Kapllani.
Sherri nisi pas vdekjes së vjehrrit të shënjestrës, Musa Kapllani, në janar të këtij viti njëkohësisht vëllai i autorit.
Musa Kapllani që prej vitit 2013 nuk fliste me dy vëllezërit e tij. Pas vdekjes së Musa Kapllanit, familja e këtij të fundit nuk shkroi në letrën e njoftimit të vdekjes emrat e dy vëllezërve, Berhanit dhe Sulejmanit. Ky i fundit nga Italia ka debatuar lidhur me këtë çështje pasi ndihej i fyer, debat në të cilin është përfshirë edhe i plagosuri. Konflikti mes tyre ka agravuar dhe më 5 shkurt të këtij viti autori i dyshuar ka ardhur nga Italia drejt Shqipërisë ku në Rinasi mori me qira makinën nga ku qëlloi me 10 plumba në drejtim të Selami Brahimit.
Autori mësohet se ka pritur rreth një orë derisa shënjestra erdhi tek lokali i tij dhe sapo la mbesën e vogël në një pallat qëlloi në drejtim të 60 vjeçarit. Pasi kreu atentatin, 68 vjeçari u largua përmes doganës së Hanit të Hotit drejt aeroportit të Podgoricës dhe nga aty në Berlin të Gjermanisë, ku edhe u arrestua./ZËRI