Aktualitet

Vlora Hyseni kërkon lirinë, shtyhet seanca në Apelin e GJKKO, shkak mungesa e prokurorëve

Ish-drejtoresha e SHISH, e cila ndodhet në 'arrest shtëpie', është nën hetim për veprat penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit.

F.I
Vlora Hyseni kërkon lirinë, shtyhet seanca në Apelin e GJKKO,
Vlora Hyseni

TIRANË- Seanca për ankimimin e masës së sigurisë për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, është shtyrë për nesër në orën 13:00. Mësohet se seanca e planifikuar për këtë të hënë është shtyrë për shkak të mungesës së prokurorëve së çështjes. Hyseni dhe avokati i saj nuk u paraqitën në seancë pasi ishin njoftuar më herët për mungesën e tyre. 

Ish-drejtoresha e SHISH, e cila ndodhet në 'arrest shtëpie', është nën hetim për veprat penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit. Hetimet janë vijim i dosjes së AKSHI-t, ku në fokus është edhe biznesmeni Ergys Agasi. 

Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda./ZËRI

MOS HUMB