Aktualitet

Zgjedhjet e 11 majit, zyra e OSBE kërkon 26 vëzhgues: Me rëndësi vëzhgimi i financimit të fushatës

Sipas rezultateve, NAM rekomandon që të ketë një ekip prej 26 vëzhguesish me madat afatgjatë dhe 300 me mandat afatshkurtër.

I.F
Zgjedhjet e 11 majit, zyra e OSBE kërkon 26 vëzhgues: Me
Foto ilustruese

TIRANË- Zyra e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ndërmori një Mision të Vlerësimit të Nevojave (NAM) në Shqipëri nga 3 deri më 6 dhjetor 2024. Ky mision u krye për të vlerësuar mjedisin parazgjedhor dhe përgatitjet në zgjedhje. Sipas rezultateve, NAM rekomandon që të ketë një ekip prej 26 vëzhguesish me madat afatgjatë dhe 300 me mandat afatshkurtër.

Kjo pasi ata identifikuan aspekte që kërkojnë vëmendje të veçantë, duke përfshirë administratën zgjedhore, përdorimin e teknologjive të reja, fushatën dhe mbulimin mediatik, financimin e fushatës, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe procedurat e ditës së zgjedhjeve.

“Shumë prej palëve të interesuara nënvizuan rëndësinë e vëzhgimit të periudhës para ditës së zgjedhjeve, veçanërisht sa i përket përdorimit të resurseve shtetërore dhe ndikimit të mundshëm në një fushë loje të barabartë. Ata identifikuan aspekte që kërkojnë vëmendje të veçantë, duke përfshirë administratën zgjedhore, përdorimin e teknologjive të reja, fushatën dhe mbulimin mediatik, financimin e fushatës, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe procedurat e ditës së zgjedhjeve.

Bazuar në këto konsiderata, ODIHR rekomandon dërgimin e një Misioni të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (EOM) për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Përveç një ekipi të specializuar ekspertësh, ODIHR rekomandon dërgimin e 26 vëzhguesve afatgjatë nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së për të ndjekur procesin zgjedhor në mbarë vendin, si dhe 300 vëzhgues afatshkurtër për të monitoruar procedurat e ditës së zgjedhjeve, duke përfshirë votimin, numërimin e votave dhe përmbledhjen e rezultateve. Sipas metodologjisë standarde të ODIHR, misioni do të përfshijë gjithashtu një element të monitorimit të mediave”, thuhet në raport.

Po ashtu në këto zgjedhje emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve do të kenë mundësi për herë të parë të votojnë për  pa qenë e nevojshme të vijnë fizikisht në Shqipëri. Në Platformën Elektronike të Regjistrimit janë regjistruar emigrantë nga 28 vende në botë. Për t'u regjistruar duhet të futeni në faqen e KQZ-së dhe të klikojnë në seksionin “votues nga jashtë”. Pasi të klikojnë duhet që të vazhdojnë me procedurat dhe kërkesat e Komisionit të Zgjedhjeve.

Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje brenda 5 ditëve duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo. Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t'u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t'u numëruar më 11 maj./ZËRI

Poll

MOS HUMB