Aktualitet

18 vite nga tragjedia e "Gërdecit", 26 jetë të humbura! Familjarët e viktimave: Duam drejtësi, proces i zvarritur për arsye politike

Përveç viktimave, rreth 300 qytetarë të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa shpërthimi shkatërroi shumë banesa në zonë, me pasoja të parikuperueshme deri më sot.

zh.ll
18 vite nga tragjedia e "Gërdecit", 26 jetë të humbura!
pamje nga shperthimi-gerdec 2008

TIRANË- Sot, 18 vite nga tragjedia e Gërdecit, ku 26 persona humbën jetën në një nga ngjarjen më tragjike në vend, si pasojë e shpërthimit të fabrikës së municioneve. Përveç viktimave, rreth 300 qytetarë të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa shpërthimi shkatërroi shumë banesa në zonë, me pasoja të parikuperueshme deri më sot.

Në përvjetorin e 18-të të ngjarjes së rëndë, familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit kanë dalë me një deklaratë publike, duke kërkuar drejtësi. Për familjarët, këto vite, janë një kujtesë e përditshme e jetëve të humbura.

Në deklaratë, familjarët flasin për nje proces ligjor që ender dyerve të Gjykatës, ndërsa u ndërpre për rreth dy vite për arsye politike. Sipas familjarëve, është një proces i ngadaltë dhe i kushtëzuar nga pozitat politike të të pandehurit.

Sakaq, mesazhi kryesor i familjarëve është një thirrje për vërtetësi dhe përgjegjësi, që të mos ndodhin më tragjedi të tilla.

Deklarata e plotë

Sot shënohen 18 vite nga tragjedia e Gërdecit, një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar shoqëria shqiptare në kohë paqeje. Për familjet tona kjo nuk është thjesht një datë përkujtimore. Është një kujtesë e përditshme e jetëve të humbura dhe e një drejtësie që ka marrë një rrugë tepër të gjatë për të mbërritur deri këtu.

Ndryshe nga sa pretendohet shpesh publikisht nga ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu, gjyqi që zhvillohet sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është një proces politik. Përkundrazi, historia e kësaj çështjeje tregon se pengesat ndaj drejtësisë kanë qenë të natyrës politike.

Akuza ndaj ish-ministrit është ngritur që në vitin 2009. Megjithatë, ajo nuk u gjykua për më shumë se një dekadë. Në atë kohë, çështja u mbyll pasi ai fitoi mandat deputeti dhe përfitoi nga imuniteti parlamentar, ndërsa organet e akuzës nuk ndërmorën veprime për vazhdimin e procedimit për vite të tëra.

Vetëm pas shumë përpjekjesh dhe debatesh juridike, pas kërkesave tona çështja u rikthye në tryezën e drejtësisë dhe sot po shqyrtohet në GJKKO. Edhe ky rikthim kërkoi vite të tjera pritjeje, pasi për rreth dy vite u desh që të gjitha shkallët e gjyqësorit të shpreheshin mbi vlefshmërinë e hapjes së procesit.

Pas rreth tre vitesh procesi vijon në gjykatë. Në pothuajse çdo seancë, i pandehuri e përdor sallën e gjyqit jo vetëm për qëndrime juridike, por më shumë për deklarime politike në interes të tij. Gjykata e ka lejuar vazhdimisht këtë praktikë, duke i dhënë kohë të pakufizuar.

Në shumë raste procesi është shtyrë për shkak të angazhimeve të tij politike jashtë vendit. Gjykata e ka trajtuar këtë situatë me një kujdes të veçantë ndaj të pandehurit, pa masa sigurie, me akomodim të vazhdueshëm të datave, kohëzgjatjes së seancave dhe kërkesave procedurale. Ky është një trajtim që i ngjan një procesi gjyqësor në një vend me standardet drejtësisë “norvegjeze”. Por ngjarja për të cilën bëhet fjalë nuk është aspak “norvegjeze”. Ajo është tragjedia e Gërdecit.

Të pabazuara janë edhe pretendimet se ky proces nuk është i ligjshëm.

Akuza është ngritur brenda afateve ligjore dhe lidhet drejtpërdrejt me tragjedinë. Vendimet dhe urdhrat e ish-ministrit të mbrojtjes kanë pasur një rol të drejtpërdrejtë në zinxhirin shkak-pasojë që çoi në katastrofë. Në thelb të kësaj çështjeje qëndron vendimi i ish-ministrit për të lejuar demontimin e municioneve të kalibrave të mëdhenj në afërsi të zonave të banuara, nga një kompani private që nuk dispononte teknologjinë e nevojshme dhe pa mbikëqyrjen e rreptë nga strukturat e forcave të armatosura.

Argumente të ngjashme me ato që paraqet sot ish-ministri janë ngritur edhe në procese të tjera brenda Shqipërisë apo edhe në Strasburg. Megjithatë, ato nuk kanë gjetur mbështetje çka tregon se vlerësimi juridik i kësaj çështjeje po bëhet gjithnjë e më i qartë.

Pavarësisht orëve të gjata të komenteve të ish-ministrit mbi ekspertizat, dokumentet dhe dëshmitë, nuk qëndron pretendimi se kemi të bëjmë me një proces absurd. Përkundrazi, kemi të bëjmë me një proces të domosdoshëm dhe tepër të vonuar.

I pandehuri vazhdon të theksojë se demontimi i municioneve ishte i domosdoshëm. Ne nuk kemi thënë kurrë se demontimi nuk duhej bërë. Ajo që kemi thënë gjithmonë është se nuk duhej bërë në mënyrën se si u bë, në kushte të pasigurta, pranë banesave dhe me një organizim që përfundoi me një kosto tragjike në jetë njerëzish.

Ironikisht, prej tij dëgjojmë shpesh pretendime se ky operacion ishte fitimprurës. Por të gjithë e dimë se me çfarë kostoje reale u pagua ai “fitim”.

Sot shënohen 18 vite nga tragjedia. Në këtë kohë, edhe një foshnjë e lindur atë ditë do të ishte sot një i rritur. Ndërsa procesi gjyqësor për përgjegjësinë e kësaj tragjedie është ende në fillimet e tij. Në një mënyrë të dhimbshme, ky proces i ngjan moshës së atyre fëmijëve që nuk u lejuan kurrë të rriteshin.

E megjithatë ne presim me durim, pa bërë shumë komente publike, pa tejmbushur sallën e gjyqit me dramën tonë, pa kërkuar hakmarrje.

Ne kërkojmë vetëm të vërtetën dhe drejtësinë, që shoqëria shqiptare të sigurohet që një ngjarje e tillë të mos përsëritet kurrë më. Ky është amaneti i atyre shpirtrave që përkujtojmë sot.

Në 15 mars të vitit 2008 rreth orës 12:05, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda. Si rezultat i kësaj ngjarje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 tjerëve, plagosja e lehtë e 109 personave të tjerë, dëmtime më të lehta për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave të tjerë që u trajtuan në spitale e qendra shëndetësore.

17 vite pas tragjedisë, familjarët ende kërkojnë drejtësi për jetët e humbura, ndërsa asnjë zyrtar nuk u vu para drejtësisë për ngjarjen e ndodhur. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

Aktualisht Prokuroria e Posaçme ka marrë si të pandehur ish-ministrin e mbrojtjes së kohës, Fatmir Mediu, ndaj të cilit rëndojnë akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shpërdorim i detyrës mbi bazë të kodit ushtarak”. Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur./ZËRI

Poll

MOS HUMB