AUSTRI-Një 39-vjeçar është arrestuar, pas alarmit ndërkombëtar, ku u zbuluan kavanoza me ushqim për fëmijë të kontaminuar me helm për minjtë në disa vende të Evropës Qendrore. 39-vjeçari identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur dyshohet se ka tentuar të zhvasë një shumë prej 2 milionë eurosh nga prodhuesi i njohur gjerman i ushqimit për fëmijë, HiPP, duke kontaminuar produktet e saj me helm kundër minjve raporton BBC.
Zëdhënësja e Zyrës së Prokurorit Publik në Eisenstadt konfirmoi se i dyshuari u arrestua në shtetin e Burgenlandit, në jug të Austrisë. Në Austri, hetuesit gjetën gjithsej 15 mikrogramë helm për minjtë në një kavanoz 190 gramësh me "karrota me patate" që ishte sekuestruar. Kavanozi ishte blerë në një supermarket Spar në qytetin Eisenstadt në shtetin Burgenland. Natyra e saktë e helmit mbetet e panjohur.
SI NDODHI NGJARJA
Një email kërcënues i ishte dërguar kompanisë HiPP. Autori kërkonte pagesën e 2 milionë eurove brenda një afati gjashtëditor. Për shkak të një neglizhence teknike, kompania e vuri re mesazhin vetëm dy javë pasi afati kishte skaduar, pasi emaili ishte dërguar në një adresë të përgjithshme që nuk monitorohej rregullisht. Ajo që pasi ishte helmi i minjve në ushqimin për fëmijët.
HiPP reagoi duke tërhequr të gjitha kavanozat e ushqimit për foshnje të shitura në supermarketet SPAR — të cilat përfshijnë dyqanet SPAR, EUROSPAR, INTERSPAR dhe Maximarkt — në Austri si masë paraprake. Shitësit në Sllovaki dhe Republikën Çeke gjithashtu hoqën nga shitja të gjitha kavanozat e markës për foshnje. I njëjti produkt tregtohet dhe në Shqipëri, supermarkete e farmaci, por deri më tani nuk ka pasur asnjë raportim apo rast të referuar.
Agjencia Austriake për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore i paralajmëroi prindërit, foshnjat e të cilëve kishin konsumuar ushqimin e kësaj marke, të konsultoheshin me një mjek nëse fëmijët e tyre tregonin shenja gjakderdhjeje, dobësi ose zbehjeje. Helmi i miut ndërhyn në përdorimin e vitaminës K nga trupi dhe simptomat zakonisht shfaqen dy deri në pesë ditë pas gëlltitjes, sipas agjencisë austriake të sigurisë ushqimore.
Ky rast ka shkaktuar shqetësim të madh te prindërit, por autoritetet theksojnë se falë kontrolleve të imtësishme, asnjë fëmijë nuk ka pësuar dëmtime shëndetësore para se produktet të hiqeshin nga qarkullimi./ZËRI
