Aktualitet

GJKKO refuzon 'ofertën' e Beqajt, ish-ministri mbetet në qeli! Shtyhet seanca për "Sterilizimin", zbardhen diskutimet

Në seancën e 31 marsit, Beqaj ofroi garanci prej 20 mijë eurosh në këmbim të daljes nga qelia.

zh.ll
GJKKO refuzon 'ofertën' e Beqajt, ish-ministri mbetet në
ilir beqaj

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, për ndryshim të masës së sigurisë “arrest në burg”. Në seancën e 31 marsit, Beqaj ofroi garanci prej 20 mijë eurosh në këmbim të daljes nga qelia.

Ndërkohë, seanca e sotme në lidhje me çështjen e "Sterilizimit" është shoqëruar me debate të forta mes palëve për ndryshimin e akuzës. Mësohet se përfaqësuesit e SPAK kanë bërë me dije se, në fazën paraprake, gjykata kishte vendosur rikualifikimin e akuzës nga “shpërdorim detyre në bashkëpunim” në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

SPAK deklaroi se ky rikualifikim u bë pas kërkesës së gjykatës për sqarim juridik të veprës penale, ndërsa prokuroria i qëndroi qëndrimit të saj në lidhje me përmbajtjen e akuzave dhe provave.

Pas diskutimeve në sallë, gjykata vendosi të shtyjë seancën për t’u dhënë kohë palëve për kërkesat paraprake, duke caktuar seancën e radhës më 28 prill.

Pjesë nga diskutimet:

SPAK: Gjykata në seancë paraprake vendosi që të ndryshonte akuzën nga ‘shpërdorim detyre’ në ‘bashkëpunim në vjedhje’ duke shpërdoruar detyrën dhe ‘grup i strukturuar kriminal’. Në atë kohë seanca i la detyrë prokurorisë që të bënte cilësimin juridik të veprës. Për këtë arsye në fund, kur gjykata vendosi kalimin e çështjes për gjykim për këto dy vepra.
I qëndrojmë akuzave të vendosura në seancë paraprake.

Beqaj: Do doja ta lexoja argumentin e dhënë nga organi i akuzës, për sa i përket rikualifikimit të veprës. Ky është një dokument i lidhur me akuzën, nuk ka minimalisht një numër në vlerë shifra e vjedhjes, siç nuk ka asnjë veprim apo mosveprim timin, organi i akuzës nuk ka përmbushur urdhrin. Ne do kërkojmë që të shprehemi në lidhje me këtë moment.

Avokat Ermal Yzeiri: Gjykata mori vendim, e urdhëroi prokurorin, është pa bazë ligjore, nuk ka ku të mbështetet. Duhet ju si gjykatë të shpreheni nëse ky akt i përmbush kërkesat që ja keni lënë. Nëse ju do t’i jepni kohë prokurorisë për të përmbushur kërkesën tuaj, dakord, ose duhet të na jepni ne kohë që të bëhemi gati për të dhënë argumentet tona.

SPAK: Në vlerësimin tonë akti që është paraqitur, në vetvete bën një sqarim për ndryshimin e akuzës, ne na u kërkua të bëjmë një sqarim se cila është akuza, me të cilën është përcjellë për gjykim i pandehuri. Ne kemi shpjeguar hapat procedurialë, çfarë ka ndodhur.

Beqaj: U rikonfirmua që organi i akuzës nuk ka vepruar i pavarur, meqenëse jemi para kësaj, që ju nuk jeni gjykatë e paanshme, pasi gjykata urdhëroi që të ndryshohej kjo akuzë. Akuza ndaj meje nuk është bindja e prokurorëve.

Avokati: Kjo nuk mund të konsiderohet sqarim i një akuze, nëse ky është akti definitiv nga SPAK atëherë kërkoj kohë të paraqes argumentet e mia.

Avokati i Beqajt: Ne kërkojmë kohë për të dhënë shpjegimet tona.

Ilir Beqaj akuzohet për pesë vepra penale , “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tenderë”, “falsifikim dokumentash”, “mashtrim” në bashkëpunim dhe “mosdeklarim pasurie”.

Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut të 2024 për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Por po ashtu, po hetohet edhe lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, Sterilizminin dhe Chech-up. Ai u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB