Aktualitet

3 milionë euro pasuri! Noteres Sanja Telhallarit i sekuestrohen pronat dhe llogaritë bankare

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se pasuritë e Telhallarit ishin të pajustifikueshme nga puna e saj si notere

E.K
3 milionë euro pasuri! Noteres Sanja Telhallarit i sekuestrohen pronat dhe
sanja telhallari

TIRANË- Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, noteres Sanja Telhallari i janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro, në prona të paluajtshme dhe llogari bankare. Sipas prokurorisë së Tiranës, vlera e pasurive që i janë sekuestruar noteres, nuk justifikohet nga puna e saj. Në mesin e pronave të sekuestruara është dhe një vilë në një zonë rezidenciale në periferi të Tiranës, që sipas prokurorisë dyshohet të jetë blerë dhe në sajë të aktivitetit të paligjshëm i kryer nga ish-bashkëshorti i noteres. Shtetasi K.P është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.


Në Korrik të këtij viti, vila e sekuestruar tashmë e noteres, ra pre e një grabitje, të denoncuar nga vetë Telhallari. Asokohe në media u raportua se Telhallari pretendonte se i ishin marrë rreth 500 mijë euro cash nga banesa, burimi i të cilave sipas prokurorisë së Tiranës, tashmë zyrtarisht, është i dyshimtë.

NJOFTIMI I PROKURORISË SË TIRANËS

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë sekuestron pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetases S.T. me profesion notere si dhe të familjarëve të saj.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se gjatë periudhës 2013–2024, shtetasja S.T. ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin “Rolling Hills”. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, me vlera të larta monetare si dhe llogari të shumta bankare.

Kjo shtetase ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere.

Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.

Vendosja e masës së sekuestros preventive synon të garantojë ruajtjen e pasurive gjatë hetimit penal dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për fshehjen e origjinës së paligjshme.

Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të burimeve financiare dhe të pasurive të dyshuara./ZËRI 

Poll

MOS HUMB