Aktualitet

46 kg kanabis në formë xhelatine "udhëtuan" nga Toronto në Tiranë, arrestohet 34-vjeçari që i kishte fsheshur në dy valixhe (EMRI)

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, lënda narkotike ishte e fshehur në formë xhelatine në dy valixhe të ardhura nga Kanadaja, e ndarë në 89 paketime dhe me një vlerë të vlerësuar rreth 250 mijë euro.

zh.ll
46 kg kanabis në formë xhelatine "udhëtuan" nga Toronto
droga e sekuestruar

TIRANË- Një operacion antidrogë në Aeroportin e Rinasit ka çuar në sekuestrimin e 46 kilogramëve kanabis, të kapura mbrëmjen e djeshme, si dhe në arrestimin e një personi, ndërsa dy gra janë vënë nën hetim nga policia.

Në pranga ka rënë shtetasi Kristian Gjoni, 34-vjeç, ndërsa dy gratë e moshave 31 dhe 40-vjeçe po hetohen në gjendje të lirë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, lënda narkotike ishte e fshehur në formë xhelatine në dy valixhe të ardhura nga Kanadaja, e ndarë në 89 paketime dhe me një vlerë të vlerësuar rreth 250 mijë euro.

Policia bën me dije se vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe Autoritetet Doganore, operacioni policor i koduar “Suitcases”.

Goditet një rast tentativë për trafikimin e rreth 46 kg lëndë narkotike cannabis sativa nga Kanadaja drejt Shqipërisë.

Arrestohet 1 shtetas dhe procedohen penalisht 2 shtetase.

Sekuestrohen 89 paketime me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 46 kg, me vlerë tregu rreth 250 000 euro.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, të kryera mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas dhe Autoritetet Doganore, finalizuan operacionin policor të koduar “Suitcases”, duke goditur një rast të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë.

Gjatë operacionit u konstatuan dy valixhe, brenda të cilave ndodheshin 89 paketime të mbyllura me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, në formën e xhelatinës, me peshë totale rreth 46 kilogramë, me vlerë tregu rreth 250 000 euro.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë K. Gj., 34 vjeç, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë A. Gj., 31 vjeçe, dhe L. Sh., 40 vjeçe.

Vijojnë hetimet, me përdorimin e metodave speciale të hetimit, për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB