Aktualitet

48 orë i zhdukur! Vijojnë kërkimet për të riun që e mori para dheu në Klos, ankohet familja: Ushtria po kërkon me lopata

Ardit Beshiri ishte duke punuar me eskavator kur ndodhi shkëputja e dheut që e mori para bashkë me mjetin e tij, duke e zhdukur pa gjurmë.

k.m.
48 orë i zhdukur! Vijojnë kërkimet për të riun që
Foto ilustruese

BURREL- Trupi i 29-vjeçarit Ardit Beshiri ende nuk është gjetur. Kur kanë kaluar më shumë se 48 orë nga shembja e një masivi dheu në ambientet e një fabrike për përpunimin e kromit në zonën e Qafës së Burrelit, ende nuk ka asnjë informacion për drejtuesin e fadromës. Ardit Beshiri ishte duke punuar me eskavator kur ndodhi shkëputja e dheut që e mori para bashkë me mjetin e tij, duke e zhdukur pa gjurmë.

PAMJET E SHEMBJES:


Që nga ajo ditë, Ushtria, banorët e zonës dhe punonjës të tjerë të fabrikës kanë dalë dhe kërkojnë trupin e të riut. Por familjarët e të riut i kanë bërë apel institucioneve për intensifikimin e operacionit të kërkimit, duke theksuar se nevojiten pajisje më të specializuara dhe makineri të posaçme për të gjetur të afërmin e tyre. Sipas tyre, pasi disa punonjës të autoriteteve me lopata vetëm nuk mjaftojnë për të gjetur trupin e të riut.

Babai i Arditi Beshirit, 29-vjeçarit që u zhduk së bashku me fadromën ku po punonte nën masivin e kromit, me lot në sy ka kërkuar ndihmë për gjetjen e trupit të tij.

“Këtu jam tek vendi i ngjarjes, ku ka ndodhur ngjarja e djalit tim. Kërkoj ndihmë prej shtetit, ti gjej vetëm njërin gisht dhe ta dërgoj tek shtëpia se nuk kam gjë më të rëndë në botë sesa të humbësh djalin në mal. I bëj thirrje shtetit të më sjellë aparatura që të gjej djalin dhe ta dërgoj tek shtëpia. Të di ku t’i hedh një tufë lule. Kam që atë ditë që e kërkoj me lopatë. Kërkoj ndihmë. Këtu është vetëm ushtria, po nuk kanë çfarë të bëjnë me lopata. Duam edhe qen. Po nisën reshjet është baseni tjetër. I bëj thirrje shtetit se kemi ngelur këtu. Aman, ta çoj në shtëpi. Po patët mundësi më ndihmoni si shtet,”- deklaroi babai i të riut, mes lotësh.

Kushëriri i Beshirit, Mevlan Taraj ka folur për mediat duke apeluar ndaj institucioneve shtetërore që të ndihmojnë me gjetjen e trupit.

“Me sa informacione kemi dimë që është një kompani turke që ka aparaturat, por emrin nuk ja di. Kemi marrë vesh që një rast i ngjashëm ka ndodhur në Vaun e Dejës dhe e kanë gjetur trupin. Deri tani më shumë ka vullnetarë dhe disa ushtarë si dhe efektivë të policisë që po kërkojnë. Nuk mund ta gjejmë privatisht, terreni është shumë i thyer, makineritë nuk futen dot. Arditin e kam djalë daje. I bëjmë thirrje shtetit që të ndërhyjë dhe të na sjellë aparatura përkatëse, të paktën të gjejmë trupin. Është fatkeqësi për familjen tonë, shteti të na ndihmojë, të paktën të gjejmë trupin. Ju lutem, shtetit, institucioneve përkatëse që të na sjellin aparaturat. Dimë që është një kompani turke që ka aparaturë, kemi marrë vesh që ka ndodhur një rast i tillë në Vaun e Dejës dhe e kanë gjetur trupin. Deri më tani janë vullnetarë, janë edhe disa ushtarë, policia është këtu, por janë njerëz si puna jonë dhe nuk besoj që ndihmojnë dot, duhen patjetër aparatura. Duhet patjetër të ndërhyjë shtetit, terreni është i thyer, makineritë nuk hyjnë dot. Ledha ka shkuar deri në 8 km, kështu është pothuajse e pamundur. Deri tani janë gjetur disa pjesë të copëtuara të fadromës, situata është më serioze se sa mendojmë,”- tha ai.

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e rëndë, Policia e Shtetit ka ndaluar drejtuesin teknik të shoqërisë ku ndodhi aksidenti, 44-vjeçarin Ademir Lala, për shkeljen e rregullave të sigurisë teknike në punë./ZËRI

Poll

MOS HUMB