Aktualitet

Aeroporti i Vlorës 3 ditë i bllokuar/ VIA: ‘Mabco’ vonoi punimet. Përfaqësuesit e Pacollit: Ju duhet t'i instalonit, çështje imazhi

Përfaqësuesja e kompanisë, Ornela Çuçi tha se “Mabco” kërkon që aeroporti i Vlorës të përfundojë në mënyrë të ligjshme, transparente, të certifikuar dhe “mbi të gjitha të sigurt”.

F.I
Aeroporti i Vlorës 3 ditë i bllokuar/ VIA: ‘Mabco’ vonoi
Përfaqësuesja e kompanisë 'Mabco', Ornela Çuçi

VLORË-Prej disa muajsh dy aksionerët kryesorë, “Mabco” dhe “2A Group”, të cilët po kryejnë punimet në aeroportin e Vlorës, janë në mosmarrëveshje për shkak të pretendimeve për kuotat që zotërojnë në kompaninë “Vlora International Airport”. Kjo mosmarrëveshje ka sjellë edhe bllokim të punës në aeroportin e Vlorës, pret tre ditësh tashmë. Gjithçka filloi pasi punëtorët e kompanisë "2A", nën drejtimin e Valon Ademit, kanë bllokuar hyrjen e punëtorëve të kompanisë së Behgjet Pacolli.

Nënkontraktorët e kompanisë ‘Mabco’ vijuan edhe sot qëndrimin përpara kantierit të Aeroportit të Vlorës, duke kërkuar rikthimin në punë. Përfaqësuesi i kompanisë, Selim Pacolli, deklaroi se ka bërë padi në gjykatën e Vlorës por njëherësh kërkon ndërhyrje dhe nga Ministria e Infrastrukturës.

“Ne kemi dalë në protestë për të shprehur pakënaqësinë që kemi sepse është mbyllur qasja në kantier. Duhet të ndërhyjë shteti. Terminali, shtëpia e zjarrfikëseve, policia, kulla e vrojtimit janë të përfunduara. Sot (20 Maj) ne do duhet të bënim dorëzimin teknik, por po pengohemi bashkë me nënkontraktorët tanë. Partneri tjetër (2 A Gruop) që po bën punimet në pistë ka caktuar një pseudoadministrator të paligjshëm të VIA-s që na ka bllokuar qasjen në kantier. Kemi bërë padi dhe kjo gjykatë duhet të shprehet brenda 5 ditësh. Ne do ta çojmë në arbitrazh, lekët do i paguajë shteti shqiptar se kemi hedhur 90 mln euro deri tani. Por fatkeqësisht lekët i paguan populli, jo individi që bën skandalet. Pala tjetër na akuzon se kemi bërë 4 milionë euro dëm? Nga kush i kërkojnë lekët ata? Nëse kemi bërë një dëm, ia kemi bërë vetes. Se VIA ku i merr ato lekë? I merr nga kompania e Pacollit që është aksioneri kryesor!”,-shprehet ai.  

Ndërkohë në një konferencë për shtyp, përfaqësuesit e kompanisë “Mabco” kanë deklaruar se kjo nuk është më thjesht një çështje konflikti mes dy kompanish. Përfaqësuesja e kompanisë, Ornela Çuçi tha se “Mabco” kërkon që aeroporti i Vlorës të përfundojë në mënyrë të ligjshme, transparente, të certifikuar dhe “mbi të gjitha të sigurt”.

"Nuk është më çështje konflikti mes dy bizneseve, por është çështje e sigurisë së investimeve strategjike në vendin tonë nga njëra anë dhe nga ana tjetër është çështje e funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Aeroporti i Vlorës nuk është një objekt i zakonshëm ndërtimi, është një projekt strategjik për Shqipërinë, turizmin, transportin ajror dhe është çështje imazhi për vendin tonë, sa i përket investimeve të huaja në Shqipëri. Për këtë arsye, çdo pengesë dhe çdo bllokim, dhe çdeo heshtje institucionale apo pengim nga ana e institucioneve nuk prek vetëm kompaninë Mabco, por prek besimin tek shteti shqiptar.”, tha përfaqësuesja e kompanisë, Ornela Çuçi.

Më tej, Çuçi akuzoi kompaninë “2A Group” se është ajo që po bëhet pengesë për vijimin e punimeve. Ajo theksoi se “Mabco” është pronare 98% të kuotave në shoqërinë “Vlora International Airport” shpk dhe se po ashtu, kompania e Pacollit, ka investuar 92 milionë euro direkt në projekt dhe 152 milionë euro kolateral për të garantuar kredinë bankare.

Nga ana tjetër inxhinieri Klodian Sala ka deklaruar se mbi 90% të detyrimeve kontraktuale të kompanisë “Mabco” kanë përfunduar. Por sipas tij, mungesat vijnë pikërisht nga kompania ‘VIA’, e cila nuk i ka përmbushur detyrimet e veta kontraktuale.

“Sot që po flasim për këto sisteme që mungojnë në aeroportin e Vlorës që duhej të përfundoheshin dhe instaloeshin nga ‘VIA’, nuk janë bërë. Në portofolin e ‘VIA’-s janë futur 65.5 milionë euro, të cilat ishin parashikuar për blerjen dhe instalimin e këtyre sistemeve, gjë që nuk është bërë. Të gjitha punimet ndërtimore që kanë përfunduar nga ‘Mabco’, janë bërë përmes sistemeve me gjenerator, sepse nuk kemi pas furnizim me energji elektrike e as me ujë. Të gjitha këto sigurisht që kanë kosto shumë të larta për ne, por ‘Mabco’ i ka marrë përsipër, por të gjitha këto sisteme nuk mund të vihen në punë nëse nuk kemi lidhje energjike. Po ashtu nuk kemi lidhje me internetin. Flasim për një objekt të sigurisë së lartë. Të gjitha këto janë pjesë përbërëse dhe nëse në fund të muajit e dorëzojmë si objekt, është shumë e gabuar që këto sisteme mos të jenë funksionale.”, tha Sala, duke theksuar përsëri se “Mabco” i ka përfunduar proceset dhe detyrimet e saj kontraktuale.

Poll

MOS HUMB