
GJERMANI- Një aksident i ka marrë jetën 3 shqiptarëve, ndërsa 4 të tjerë ndodhen në spital. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Koblenz të Gjermanisë, ku të gjithë personat po ktheheshin nga një festë familjare. Si pasojë e përplasjes, 3 shqiptarë (ende të pa identifikuar me emër) kanë humbur jetën në vend. Kjo pasi minibusi me 9 pasagjerë udhëtonin ka dalë nga rruga dhe është përmbysur disa herë.
Sipas raportimeve, të vdekurit janë një burrë 53-vjeçar dhe dy gra të moshës 47 dhe 65 vjeç. Gjashtë personat e tjerë thuhet se janë të moshës midis 20 dhe 66 vjeç. Mësohet se minibusi drejtohej nga një 22-vjeçar. Por ende nuk ka indikacione se shoferi ka qenë nën ndikimin e alkoolit ose drogës. Ndaj edhe Policia ka kërkuar që të mos ketë spekulime.
“Është një aksident shumë, shumë i tmerrshëm,”- tha një zëdhënës i policisë në Koblenz të dielën në mëngjes.
Lidhur me ngjarjen, Ministria e Jashtme e Shqipërisë njofton se është njoftuar nga autoritetet gjermane për aksidentin e rëndë, i cili ka ndodhur në Autobahn 48 në Gjermani, pranë qytetit Koblenz të Rheinland-Pfalz. Sipas mediave të huaja, ngjarja tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, datë 25 maj, ndërsa ende hetohen shkaqet e aksidentit.
Njoftimi i Ministrisë së Jashtme:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë. Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit. Strukturat tona konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës. Për çdo informacion shtesë, lutemi të kontaktoni në: +49 1523 79 13 997/ZËRI