LIBRAZHD- Një operacion antidrogë në Librazhd ka çuar në arrestimin e dy personave, të dyshuar për përfshirje në veprimtari të shitjes së lëndëve narkotike.
Në pranga ka rënë Gj. K., 32 vjeç, i cili dyshohet se në lokalin që administronte, në Prrenjas, ndante kokainë në doza me qëllim shitjen. Gjithashtu është arrestuar edhe K. R., 29 vjeç, për moskallëzim të krimit, pasi dyshohet se kishte dijeni për aktivitetin e paligjshëm.
Gjatë kontrollit në lokal u sekuestruan 76 doza dhe sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, 3 peshore elektronike, 3 celularë, si dhe 48,100 lekë dhe 450 euro, të dyshuara si të ardhura nga shitja e drogës.
Njoftimi:
Librazhd/Finalizohet operacioni antidrogë, i koduar “Rrethinat”.
Në lokalin që administronte në Prrenjas, ndante Kokainën që kishte siguruar, në doza, me qëllim shitjen, arrestohet 32-vjeçari.
Në pranga për moskallëzim të krimit, një shtetas që u kap në ambientet e lokalit.
Sekuestrohen sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, 3 peshore elektronike, 3 celularë, si dhe 48 100 lekë dhe 450 euro të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të operacioneve kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të bazuara te kontrollet, puna operative dhe hetimet, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, operacionin e koduar “Rrethinat”.
Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit Gj. K., 32 vjeç dhe K. R., 29 vjeç, të dy banues në Prrenjas.
Gjatë kontrolleve në lokalin që administronte 32-vjeçari, në Prrenjas, u gjetën 76 doza dhe sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, siguruar dhe përgatitur me qëllim shitjen. Gjithashtu u gjetën mjete që shërbenin për ndarjen e lëndës narkotike, në doza, si dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Ndërkaq, 29-vjeçari u kap në ambientet e këtij lokali dhe dyshohet se kishte dijeni për veprimtarinë kriminale të shtetasit Gj. K., dhe nuk kishte kallëzuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.