TIRANË– Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka ngritur alarmin për një valë mesazhesh SMS dhe email-esh mashtruese që përdorin emrin dhe identitetin vizual të bankave, Postës Shqiptare apo institucioneve të tjera, me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve.
Sipas AKSK-së, mesazhe të tilla u kërkojnë qytetarëve të kryejnë pagesa, të konfirmojnë adresën për një dërgesë apo të verifikojnë llogaritë bankare, duke i nxitur të veprojnë menjëherë. Autoriteti thekson se bëhet fjalë për tentativa mashtrimi përmes skemave të njohura si "phishing" dhe u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në linqe të dyshimta, të mos ndajnë të dhënat personale apo bankare dhe të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve përkatëse.
Njoftim nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike:
Nëse merrni një email apo SMS në emër të bankës apo Postës Shqiptare, mos veproni menjëherë.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mesazheve SMS dhe email-eve mashtruese që përdorin emrin dhe identitetin vizual të bankave, Postës Shqiptare apo institucioneve të tjera, me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare.
Mesazhet mashtruese shpesh pretendojnë se:
keni një pako që kërkon pagesë ose konfirmim të adresës;
llogaria juaj bankare është bllokuar ose ka aktivitet të pazakontë;
duhet të veproni menjëherë për të shmangur pezullimin e një shërbimi.
Mos harroni:
- Mos klikoni në linqe të dyshimta.
- Mos ndani fjalëkalime, kode verifikimi (OTP), PIN apo të dhëna të kartës bankare.
- Verifikoni çdo njoftim vetëm përmes faqeve dhe kanaleve zyrtare të bankës ose institucionit përkatës.
- Raportoni çdo rast të dyshimtë pranë AKSK-së dhe institucionit që po imitohet.
Një klikim i nxituar mund të mjaftojë për të komprometuar të dhënat tuaja. Qëndroni vigjilentë dhe verifikoni gjithmonë përpara se të veproni.
/ZËRI