TIRANË-Apeli i GJKKO ka urdhëruar SPAK-un që të hetojë kryebashkiaken socialiste të Lushnjes, Eriselda Sefa. Zyrtarisht prej 30 shtatorit, drejtuesja e bashkisë së Lushnjes është nën hetim mbi një kallëzim të një qytetari nga Lushnja për falsifikim dokumentash dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Qytetari A.H i ka paraqitur SPAK kallëzimin ndaj Sefës për dy vepra penale: E para për falsifikim të dokumenteve dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Shkalla e Parë e GJKKO-së vendosi në favor të prokurorisë duke pushuar çështjen. Por qytetari ka depozituar ankim edhe në Apel dhe duke paraqitur fakte të reja mbi veprimet e Ermelinda Sefës.
Sipas kallëzimit, ai e akuzon Sefën për procedurën e ndjekur për dhënien me qira të pasurisë publike, ku pretendon se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nga Këshilli Bashkiak Lushnjë dhe Kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa. Kallëzuesi pretendon se ka pasur falsifikime në shkresë si dëgjesa publike, ashtu edhe në projektin për miratimin e dhënies me qira të një ambienti në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.
Njoftimi i gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, më datë 30.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 195 akti, datë 02.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e shtetasit A.H., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shfuqizimin e vendimit të mosfillimit të procedimit penal datë 24.04.2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me kallëzimin penal nr. 81, datë 14.04.2025” dhe vendosi:
- Ndryshimin e vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar ankimin e ankuesit A.H. dhe duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të regjistrojë procedimin penal dhe të kryeje hetime.
- Një kopje e vendimit t’iu komunikohet palëve.
U vendos në Tiranë, me datë 30.09.2025 ora 12:45.