TIRANË-Teksa në Apelin e Gjykatës së Posaçme po zhvillohet seanca e ankimimit të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të tjerëve, pranë ambjenteve të GJKKO është paraqitur edhe avokati amerikan Joshua Roberts, që i është bashkuar trupës së mbrojtësve ligjorë. Por avokati amerikan nuk është lejuar të jetë prezent në seancë.
Një ditë para seancës (10 mars) avokati zhvilloi një takim me kryebashkiakun Veliaj në ambjentet e burgut në Durrës. Në deklaratën për mediat përfaqësues i studios ligjore amerikane "Kasowitz Benson Torres LLP", bëri të ditur se ndodhet në Shqipëri si vëzhgues dhe theksoi rëndësinë e respektimit të standardeve ligjore ndërkombëtare.
Sot Apeli do të shqyrtojë ankimimin e Erion Veliajt për masën e arrestit me burg. Seanca në Apelin e Posaçëm do të drejtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi. Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./ZËRI