TIRANË- Gjykata e Durrësit ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Indrit Cërlojn, drejtorin e arrestuar të burgut të Durrësit. Ndërkohë që masa e arrestit të shtëpisë është lënë po ashtu në fuqi për mjeken e burgut të Durrësit, Ylfete Sema.
Ndërkaq të shtunën e kaluar gjykata e Durrësit la në qeli 3 nga 8 të arrestuarit e tjerë për arratisjen e Altin Ndocit, ndërsa dy të tjerë u lanë arrest shtëpie dhe tre detyrim paraqitjeje.
Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore ndërsa akuzohet nga SPAK për përkrahja e autorit të krimit, konkretisht shtetasit Talo Çela, gjatë viteve 2020 – 2021 në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, në lidhje me vrasjen e Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia.
Po ashtu ai akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Më 14 janar, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari firmosi shkarkimin e Cërlojt dhe kërkoi nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, një plan të ri të vlerësimit të sigurisë dhe rishpërndarjes mbi bazën e rrezikshmërisë së të dënuarve dhe paraburgosurve në IEVP Durrës, duke konsideruar edhe transferimin në burgje të tjera të sigurisë së lartë. Pas shkarkimit të tij, Edmond Llabani u emërua drejtori i ri i Burgut të Durrësit.
Altin Ndoci mbërriti me ambulancë në spitalin e Durrësit, pa pranga mes efektivëve mesditën e 13 janarit, ku së bashku me një tjetër të paraburgosur, u shoqërua drejt repartit të Infektivit pas shqetësimeve në veshka. Ndoci i cili priste në dhomë pa pranga pas mjekimit, i kërkoi 2 efektivëve që e ruanin te dera, ta shoqëronin për në tualet, ngjitur me dhomën e vizitës. Sapo dera është hapur 38-vjeçari goditi një nga efektivët dhe u largua me shpejtësi duke zbritur shkallët nga kati i tretë i infektivit. Një prej efektivëve qëlloi për ta trembur, por ai ka arritur të largohet me vrap ndërsa një “Audi A7” e priste në parkimin e spitalit të Durrësit./ZËRI


