LEZHË-Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për efektivin e policisë Besart Kovaçi, i cili u përfshi në përplasjen me armë mbrëmjen e 1 shkurtit në berberhane në fshatin Rrilë të Lezhës, ku plagosur mbeti berberi Sokol Daci.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, efektivi u ka qëndruar deklarimeve se ka qëlluar për të neutralizuar situatën, duke qenë se kishte parë personat e armatosur. Por gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe caktoi masën e sigurisë arrest në burg për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Në lidhje me ngjarjen në kërkim janë shpallur tre autorët Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, nën akuzën e tentativës së vrasjes dhe 21-vjeçari Merando Nikulaj, shënjestra e atentatit, i cili dyshohet se ka mbetur i plagosur në këmbë.
Ngjarja ndodhi në një berberahane në atë zonë, ku mësohet se autorët kishin dijeni se shënjestra, Merando Nikulaj, ndodhej aty brenda. Autorët janë afruar pranë berberhanes me dy automjete të ndryshme, dy prej tyre të maskuar dhe me shkopinj bejsbolli, kanë hyrë në sallon, duke çuar më pas në një shkëmbim të fortë zjarri. Efektivi dyshohet se ka qëllluar i pari me armë zjarri për t'i neutralizuar, por në këtë moment, pasi kanë dëgjuar të shtënat, autorët e tjerë që qëndronin në dy mjetet kanë qëlluar me mbi 30 plumba kallashnikovi në drejtim të sallonit.
Konflikti mes tyre ka nisur që në verë. Mësohet se Merando Nikulaj bashkë me kushëririn e tij janë konfliktuar me njëri-tjetrin, pranë zonës së plazhit ku kanë edhe hotelin. Dy djemtë e Nikulajve i kanë përplasur motorin djemve të fisit Ndoka, ku mësohet se janë konfrontuar fizikisht, me shkopa bejsbolli dhe sende të tjera të forta. Merando Nikulaj është çuar në gjyq lidhur me sherrin që ka pasur me djemtë e fisit Ndoka./ZËRI