Aktualitet

CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA! Meta dhe Kryemadhi, të pandehur! Kreu i PL: Do ballafaqohemi!

SPAK do u komunikojë sot Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës 3 akuzat, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie. 

F.I
CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA! Meta dhe Kryemadhi, të pandehur! Kreu i
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

TIRANË-SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka marrë zyrtarisht të pandehur kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, për dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA. SPAK i ka komunikuar sot Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës 3 akuzat, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie. Akuzat u janë komunikuar edhe personave të tjerë të eskpozuar në këtë dosje, Ema Çoku e Pirro Xhixho.

Deputetja Kryemadhi qëndroi për rreth 2 orë në SPAK, ku iu komunikuan zyrtarisht akuzat pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie. Pas daljes nga SPAK, Kryemadhi deklaroi se do të flasë vetëm në gjyq dhe me ironi u shpreh se është artistja e parë që është marrë e pandehur.

Pasi u mor i pandehur, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook shprehet se përshëndet përfundimin e farsës hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve. Sipas tij, me publikimin e akuzave ndaj tij synohet që të spostohet vëmendja nga krimet zgjedhore. Ai thotë se pavarësisht kësaj, do të ballafaqohet me “pseudoakuzat” e Ramës dhe mercenarëve të tij.  

Ilir Meta: Pas farsës kriminale zgjedhore, që nuk mund të ndodhte pa ndihmën e SPAK edhe me rrëmbimin tim në mënyrë kriminale më 21 tetor 2024, siç e panë të gjithë shqiptarët dhe e gjithë bota, përshëndes përfundimin e farsës hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve, të nisur që në dhjetor 2019 nga Altin Dumani. Pres me padurim, nisjen e gjykimit të këtij procesi, i cili do të jetë publik dhe do të faktojë botërisht se SPAK-u që nuk shikon krimin intelektual të inceneratorit që nuk ekziston dhe që lëshon urdhër-arreste fiktive për terroristët zgjedhorë, duke i lajmëruar që të largohen, është vetëm një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës, që me “Task Force” e saj anti-opozitë i dha atij një mandat të paligjshëm vetëm me qëllimin që të garantojnë mandate të përjetshme për veten e tyre. Nga sot ne nisim çmontimin e kësaj farse hetimore e cila kërkon të spostojë vëmendjen nga krimet e tmerrshme zgjedhore, edhe duke porositur titra te mediat e inceneratorëve për publikimin e akuzave që nuk qëndrojnë, kur çdo shqiptar e di se Ilir Meta u rrëmbye në mënyrë kriminale dhe mbahet në izolim ekstrem me zero fakte dhe zero prova penale. Ne do të ballafaqohemi më të gjitha pseudoakuzat e formuluara nga Edi Rama dhe të nënshkruara nga mercenarët e tij. Ne do të ballafaqohemi me të gjithë “dëshmitarët” e prodhuar nga Edi Rama dhe që kanë patur probleme me drejtësinë dhe integritetin e tyre. Jemi të bindur në shpartallimin e plotë të kësaj farse kundër Ilir Metës si President i Partisë së Lirisë, por edhe si ish-President i Republikës, i cili provoi botërisht në Komisionin e Venecias dhe kudo tjetër, shndërrimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota në Ramaformë me 69 vota.

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani dha një prononcim për mediat duke u shprehur se shumë individë të tjerë, ish-pjesëtarë të LSI-së, të cilët sipas tij duhej të ishin të pandehur, sot janë të lirë dhe madje mbajnë funksione publike, ndërkohë që Ilir Meta po përballet padrejtësisht me akuzat.

Iu komunikua akuza, do bëjmë kërkimet tona. Do kërkojmë të kryhen disa veprime procedurale. Nuk ka patur ndryshim nga materiali që është paraqitur për të tre akuzat, korrupsioni pasiv, pastrim parash dhe fshehja e pasurisë. Kishte qëndrim, sepse akuzat nuk qëndrojnë, janë shpjeguar edhe gjatë fazës hetimore, edhe kur është marrë në pyetje. Hetimet u përfunduan pas zgjedhjeve dhe jemi në këtë moment, pikërisht në momentin që përfunduan zgjedhjet, për të hequr vëmendjen. Pasi të lexojmë materialet, njihemi edhe me aktet, sepse janë fashikuj të tërë, duhen kohë për t’i studiuar. Meta i ka dhënë shpjegimet para se të merrej masa e arrestit. Çështja është e montuar, i drejton autokrati të gjitha veprimet, i ka drejtuar të gjitha veprimet ndaj Metës. Janë persona të tjerë që mbajnë përgjegjësi për lobimet, emrat do dalin, kjo çështje nuk përfundon këtu, do thirren ato persona që ka ngritur kartonët edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Do jetë procesi i shekullit, kjo gjykatë vendos çfarë kërkon prokuroria. Është qëndrim i Metës, ju keni qenë dëshmitar të rrëmbimi të Metës. Nuk pati veprim nga Policia që të verifikonin këta banditë që rrethuan rrugën dhe e arrestuan në atë mënyrë. Nuk ka asnjë hetim. Meta është regjistruar si person hetim më 10 qershor, dhe është arrestuar më 21 tetor, plot 5 muaj më pas. Pse duhet arrestuar Meta, se u lirua Berisha dhe u arrestua Meta. Të dy jashtë nuk mund të rrinin jashtë për zgjedhje. Kemi të drejtat tona proceduriale, pasi të njihemi me aktet nëse do kemi pretendimet tona dhe nëse ka mangësi në hetime do bëjmë kërkesa jo vetëm për hetime shtese, por pse jo edhe për të pyetur dëshmitare që kanë dijeni për rrethanat e faktit. Shumë persona të tjerë që kanë qenë edhe pjesë e LSI, të cilët duhet të ishin të pandehur dhe jo zoti Meta, sot janë të lirë dhe ushtrojnë funksione publike”, tha Kujtim Cakrani, i cili theksoi se “ky proces do te vazhdoje dhe do te jete procesi i shekullit,"-tha ai.

Deputetja e PL ndodhet në masën detyrim paraqitjeje, ndërsa Meta në arrest me burg, i arrestuar më 21 tetor 2024. Prokuroria e Posaçme më prill të 2022, rihapi dosjen e e vjedhjes së parave publike. Për këtë dosje, Meta u thirr nga prokuroria e posaçme në shkurt të 2024 për të dhënë shpjegime në cilësinë e ministrit të Tregtisë, Ekonomisë dhe Energjetikës. Dyshimet janë se nga mbledhja e borxhit të debitorëve që do të bëhej nga kompania DIA, besohet se shteti shqiptar pësoi një dëm financiar në vlerën e 414 milionë eurove.

Skandali i CEZ/DIA

Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA. Në atë kohë ERE uli çmimin e energjisë për CEZ. Kjo fundit ia u shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona.  Më pas, në vitin 2013, kur në pushtet erdhi Partia Socialiste, u bë edhe ndërprerja e kontratës që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.

Në fund të vitit 2015, Ministria e Energjisë dhe Industrisë që drejtohej nga Damian Gjiknuri, kallëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme ish ministrat (Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë, Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë etj) dhe ish drejtorët e Berishës për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe shkelje, duke favorizuar CEZ me çmimin e energjisë elektrike, faljen e detyrimeve dhe njohjen e borxhit të keq. Por Prokuroria e Përgjithshme e mbylli dosjen.

I vetmi i dënuar ishte Kastriot Ismailaj, pronari i Kompanisë DIA. Ish-administratori i DIA-s u vërtetua fajtor për akuzat penale “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”. Teksa kërkoi lirinë, ai paraqiti 132 prova të reja, për të cilat  argumentoi se nuk kishte pasur mundësi t’i siguronte më parë. Megjithatë sipas Prokurorisë së Tiranës, biznesmeni Ismailaj i ka konsumuar veprat penale gjatë marrëveshjes CEZ-DIA, duke përfituar përmes mashtrimit një shumë prej 5 milionë euro. Pavarësisht kërkesave të tij të njëpasnjëshme për liri, ai u doli nga burgu në shtator të këtij viti, pas 9 vitesh burg.

Brenda pak ditësh SPAK pritet të dërgojë dosjen në gjykatë ku në seancë paraprake GJKKO do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim, kthehet pas për plotësim apo pushohet./ZËRI

Poll

MOS HUMB