Aktualitet

Denoncimet e Ahmetajt për trafik armësh/ SPAK nis verifikimet: Sekuestrohen 6 përgjimet dhe emisioni i plotë

Ish-zv.kryeministri nga arratia deklaroi se disponon informacione dhe materiale që, sipas tij, lidhen me një strukturë të organizuar për trafikimin e armëve, duke pretenduar se armët vijnë nga vende të Afrikës, paketohen në Shqipëri dhe më pas dërgohen drejt destinacioneve të tjera.

F.I
Denoncimet e Ahmetajt për trafik armësh/ SPAK nis verifikimet:
Ron Yeffet dhe Arben Ahmetaj

TIRANË- Prokuroria e posaçme SPAK, ka vendosur të nisë verifikimet lidhur me denoncimet e bëra nga ish-zv/kryeministri i Shqipërisë Arben Ahmetaj, gjatë një interviste në emisionin “Çim Peka Live”. Kreu i SPAK Klodian Braho ka firmosur një dokument, duke kërkuar nga televizioni “Syri Tv” që t'i vendosë në dispozicion të gjithë materialin e emisionit përfshirë këtu dhe audio-përgjimet bruto të transmetuara në publik. Bëhet fjalë për një material përgjimi rreth 3 orë në Monako, ku amerikano-izraeliti, Ron Yeffet është një prej personave kryesorë të përmendur.

Verifikimi nga Prokuroria e Posaçme vjen pasi Ahmetaj ngriti një sërë akuzash, mes tyre për një skemë të trafikut ndërkombëtar të armëve, ku përfshihet Shqipëria. Ish-zv.kryeministri nga arratia deklaroi se disponon informacione dhe materiale që, sipas tij, lidhen me një strukturë të organizuar për trafikimin e armëve, duke pretenduar se armët vijnë nga vende të Afrikës, paketohen në Shqipëri dhe më pas dërgohen drejt destinacioneve të tjera.

“Është vetëshpjeguese. Jemi duke folur për trafik ndërkombëtar armësh. Dhe jo në kuadër të marrëveshjes, në sytë e NATO-s, që ka Shqipëria me Ukrainën. Jo. Jemi duke folur për trafik armësh nga vendet e Afrikës, që do paketohen në Shqipëri, ose që paketohen në Shqipëri, dhe që pastaj marrin rrugën... Jemi duke folur për trafik të pastër armësh”, u shpreh Ahmetaj.

Në biseda, sipas materialit të publikuar nga Ahmetaj, Yeffet komunikon me persona të tjerë për kompani, tenderë, pajisje ushtarake. Gjithashtu, sipas Ahmetaj, bisedat tregojnë marrëdhëniet me institucionet shqiptare dhe ato të vendeve të tjera dhe rolin që kanë pasur.

BISEDA:

Ron Yeffet – Sic thamë dje, ne do jemi 80%. Qeveria do të ketë 10 ose 20%. Igor do të jetë 80 ose 90%, sido që ta vendosim. Dhe më pas ne do të kemi një marrëveshje më vete.

Por unë nuk mund të jem në të… ee.. formalisht.

Ndoshta më vonë situata ndryshon…Pasi të kalojë në Këshillin e Ministrave të hënën.

Të hënën ose të martën është Këshilli i Ministrave , më pas do të jemi në kontakt me zëvendës sekretarin e përgjithshëm të zyrës së kryeministrit.

Tatiana: Kush është ai?

Ron: Ta them unë…cfarë do që ne vendosim.

Ron: Emri i tij është Ermal Nufi. Zëvendës sekretari i përgjithshëm. Zoti Ermal Nufi do të mbajë kontakte do të jesh ti apo Rafaeli. Nuk e di kush është përfaqësuesi, ai do mbajë kontakt me ju, që të realizojë gjithçka.

Ron: Nuk do jetë KAYO… do të jetë i njëjti koncept.

Tatiana: Ah sigurisht sepse KAYO është te mbrojtja.

Ron: Korrekt, i njëjti koncept por jo KAYO.

Konteksti i plotë i çështjes konkrete për të cilën bisedojnë nuk është zbardhur ende. Por sipas Ahmetaj, diskutohet mënyra se si mund të anashkalohen garat dhe procedurat e tenderimit përmes krijimit të kompanive të tipit KAYO në Shqipëri. Po ashtu, Ahmetaj përmend edhe ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, të cilin e identifikon me pseudonimin “Ermal Raketa”, duke pretenduar se ky emërtim lidhet me rolin e tij në çështjet që ai ngriti gjatë intervistës.

Ish-zëvendëskryeministri ka hedhur akuza të forta mbi mënyrën se si po funksionon industria e re ushtarake e ngritur nga qeveria, duke vendosur në qendër TIMAK Defence. Bëhet fjalë për kompaninë e krijuar nga bashkimi i privatit me KAYO-n shtetërore në sektorin e industrisë ushtarake.

Ahmetaj hedh akuza dhe pretendon se 80% e kompanisë zotërohet nga privati përmes TIMAK-ut, ndërsa shteti, përmes KAYO-s, ka 20%, ndërkohë që kompania ka përfituar para publike.

Denoncimet e tij qeveria në një reagim për emisionin 'Opinion' i quajti thashetheme nga një person në arrati. Me nisjen e verifikimeve nga SPAK mbetet për tu parë nëse audio-përgjimi është i vërtetë dhe nëse Shqipëria është e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB