FIER-Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka zbardhur ngjarjene rëndë në Fier, ku 56-vjeçari, Anesti Rama u vra nga vajza e tij, Emalinda Rama, 26-vjeçe, në bashkëpunim me nënën e saj, Valbona Rama 53-vjeçe dhe Çlirim Dogani, 55-vjeçari me të cilin ka patur marrëdhënie intime.
Sipas organit të akuzës, mbrëmjen e 23 Korrikut, rreth orës 21:16 në Sallën Operative Fier, ka mbërritur një telefonatë ku kërkohej dërgimi i ambulancës, pasi një shtetas ishte dëmtuar në ambientet e tualetit të banesës së tij të ndodhur në fshatin Frashër. Ambulanca e Spitalit Rajonal Fier mbërriti në vendngjarje dhe gjeti shtetasin Anesti Rama të pajetë në sallonin e shtëpisë, i veshur me kostum dhe këmishë.
Përpos shenjave në fyt, hetimet zbuluan se trupi i viktimës kishte dëmtime të dukshme në fytyrë dhe në pjesën ballore të kokës. Konkretisht konstatuan, çarje në pjesën ballore, mbi vetull, si dhe dëmtime të tjera.
Vajza e viktimës dhe bashkëshortja e tij, Valbona Rama kanë deklaruar para grupit hetimor se e kishin gjetur të ndjerin në tualetin e banesës pa shenja jete dhe të gjakosur. Pas veprimeve hetimore, u bë arrestimi i Emalinda Ramës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, nënës së saj Valbona Ramës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si edhe 56-vjeçarit Çlirim Dogani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Fierit:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi procedimin penal nr.1073, datë 24.07.2025 për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/c dhe 25 të Kodit Penal dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal ndaj tre shtetasve E.R. V.R. dhe Ç.D.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se, në datë 23.07.2025, rreth orës 21:16 në Sallën Operative Fier, u bë një telefonatë ku kërkohej dërgimi i ambulancës, pasi një shtetas ishte dëmtuar në ambientet e tualetit të banesës së tij të ndodhur në fshatin Frashër.
Ambulanca e Spitalit Rajonal Fier ka shkuar në banesën e shtetasit A.R., të cilin e ka gjetur të shtrirë në sallonin e banesës së tij, të veshur me kostum dhe këmishë. Personeli mjekësor konstatoi se shtetasi A.R. kishte humbur jetën dhe ka njoftuar Sallën Operative se “personi për të cilin kërkuan ndihmë mjekësore është i vdekur”.
Në zbatim të procedurës hetimore të parashikuar në raste të tilla, në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor. Nga këqyrja e jashtme e trupit të të ndjerit, u konstatua se ai kishte çarje në pjesën ballore, çarje mbi vetull, një dërmishje mbi vetullën e djathtë, si dhe dëmtime të tjera.
E bija e të ndjerit, shtetasja E.R. dhe bashkëshortja e tij, shtetasja V.R., i deklaruan grupit hetimor se e kishin gjetur të ndjerin në tualetin e banesës pa shenja jete dhe të gjakosur, kishin njoftuar fqinjët se ky shtetas ishte rrëzuar në tualet dhe në vijim ishte njoftuar ambulanca dhe policia. Ato e kanë lëvizur të ndjerin nga tualeti, e kanë pastruar dhe veshur, me qëllim kryerjen e riteve mortore, si dhe kanë pastruar vendin e ngjarjes.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, përfshirë edhe përdorimin e metodave proaktive të hetimit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases E.R., e dyshuar për kryerjen e veprës penale“Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/c dhe 25 të Kodit Penal, i shtetases V.R. e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal, si dhe ndalimi me iniciativë i shtetasit Ç.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale“Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/c dhe 25 të Kodit Penal.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkoi vleftësimin e ligjshëm të arrestimeve dhe të ndalimit, si dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për të tre personat nën hetim, kërkesa të cilat u pranuan nga gjykata.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra penale kundër jetës.
Ngjarja ndodhi me 24 korrik, ku 26-vjeçarja mbyti me tel babain e saj. Në deklarimin e parë të saj Emalinda Rama është shprehur përpara efektivëve se i ati ishte rrëzuar në shtëpi aksidentalisht dhe kishte ndërruar jetë. Por shenjat në fytin e Anesti Rama, 56 vjeç, bënë që Policia e Fierit të dyshonin se kishin të bënin me një vrasje dhe jo me ngjarje aksidentale. Nga këqyrja e kufomës u konstatua se trupi i pajetë kishte shenja dhune edhe në pjesët intime. Vrasja dyshohet të jetë menduar mirë nga nënë e bijë. E gjitha kjo pasi të dyja e kishin dërguar dy ditë më parë tek kardiologu me qëllim që të justifikonin vdekjen e Anesti Ramës. Pas zbardhjes së krimit, Emelinda Rama e ka pranuar vrasjen dhe ka deklaruar se babai i saj ishte fanatik, nuk e linte të dilte dhe ndaj ishte detyruar të ndërmerrte aktin ekstrem./ZËRI


