TIRANË- Pas përplasjes fizike të regjistruar mbrëmjen e së hënës në kompleksin “Delijorgji” në Tiranë, ku Laert Kasaj, pronari i restorantit “Tokyo”, u dhunua në mënyrë brutale nga disa persona, Policia ka shpallur në kërkim Ferhat Kajën dhe të afërmin e tij, Oltian Kaja, si autorë të sulmit. Të dy dyshohet se janë pronarë të lokalit “Stockholm”, që ndodhet përballë kompleksit ku ndodhi ngjarja.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Laert Kasaj, i cili u shpreh se dhuna ndaj tij ka qenë e paramenduar dhe e organizuar. Kasaj ka dhënë versionin e tij të plotë mbi rrethanat e ngjarjes dhe ka hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj tij, ku dyshohet se shkak i sherrit u bë një denoncim i bërë nga vetë ai pranë Kryeministrisë, ku kishte raportuar për uzurpimin e hapësirave publike.
Biznesmeni i dhunuar pretendon se shkaku i sulmit ka qenë një postim i shpërndarë nga një portal online, ku përmendej edhe një lokal në pronësinë e autorëve të sulmit. Edhe pse emri i biznesit të tij përmendej në mënyrë më të dukshme, kjo nuk ka qenë arsye për të reaguar ndaj askujt, thotë Kasaj.
REAGIMI:
Në këto ditë të vështira për mua dhe familjen time, ndjej nevojën të ndaj disa fjalë me publikun. Para dy ditësh jam bërë objekt i një sulmi të dhunshëm, të paramenduar dhe të organizuar, nga persona konkretë që kanë ardhur poshtë zyrës sime të pajisur me mjete të forta. Pavarësisht se ishte një ngjarje e paprovokuar, në vend që të dënohej dhuna, janë bërë përpjekje për ta justifikuar atë, madje duke më akuzuar se e kam nxitur vetë. Shkak për gjithë këtë, sipas vetë autorëve, është bërë një postim i shpërndarë nga një portal online, në të cilin përmendet lokali i tyre ndër të tjerë.
Ironikisht, në atë postim, lokali në pronësinë time është ai që shihet në disa foto, ndërsa të tjerët, përfshirë lokalin e autorëve, pasqyrohen më pak. Megjithatë, kjo u mjaftoi për të më vënë në shënjestër. Për më tepër, janë shpërndarë lajme të rreme se unë paskam bërë denoncime te Kryeministri kundër autorëve. Ky është një pretendim absurd, pasi unë nuk kam asnjë kontakt me Kryeministrin dhe, pas rreth 20 vitesh në biznes, nuk kam nevojë të merrem me punët e të tjerëve, aq më pak me persona që as nuk janë konkurrentët e mi. Zotëroj 12 kompani që janë ndër më të suksesshmet në Shqipëri në fushat e tyre.
Këto biznese punësojnë rreth 250 punonjës, të cilët çdo ditë japin më të mirën e tyre me përkushtim dhe profesionalizëm. Ata nuk kanë pse të përballen me pasiguri apo frikë, për shkak të një fushate të padrejtë që nuk ka të bëjë me punën tonë. Në këtë klimë të rënduar, më shqetëson edhe se si disa portale online publikojnë çdo gjë që u sjell klikime, pa verifikuar burimet, pa u interesuar për të vërtetën, pa menduar për pasojat që sjellin mbi njerëzit. Kjo është një sjellje e rrezikshme, që ushqen dhunë, urrejtje dhe ndjenjë padrejtësie. Në përfundim, kam vendosur të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur dinjitetin tim, të vërtetën dhe të drejtën time për të mos u përballur me dhunë dhe shpifje.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1: shpallën në kërkim shtetasin F. K., 31 vjeç dhe O. K., 30 vjeç, pasi me datë 21.07.2025, rreth orës 22:30, në Rrugën e Kavajës, tek kompleksi “Delijorgji” dyshohet për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte dyshohet dhe me sende të forta shtetasit E. K dhe L. K, të cilët pas marrjes së asistencës mjekësore u larguan për në banesë. Punohet për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Çfarë ndodhi në Deliorgj
Laert Kasaj, pronari i restorantit “Tokyo”, u dhunua brutalisht mbrëmjen e 21 korrikut. Kasaj u sulmua nga pronarët e barit “Stockholm”, ku shkak dyshohet të jetë bërë zaptimi i hapësirave publike. Dhuna dyshohet se ka ardhur si pasojë e një denoncimi që Kasaj kishte bërë pranë Kryeministrisë, ku ai kishte raportuar për uzurpimin e hapësirave publike dhe vendosjen e tendave të jashtëligjshme nga disa lokale përreth. Kasaj është transportuar me urgjencë në spital dhe ndodhet ende në gjendje të rëndë shëndetësore./ZËRI

