Aktualitet

Hapen kamerat! Disa të mitur i vunë flakën kartonave të marketit...si nisi zjarri që 'përpiu' pallatin te 'Arlis!

Policia në njoftimin zyrtar raportoi se shkaku kryesor i zjarrit kanë qenë mbeturinat e marketit në katin e parë të ndërtesës.

F.I
Hapen kamerat! Disa të mitur i vunë flakën kartonave të
PAMJE NGA NGJARJA

TIRANË-Hetimet vijonë për ngjarjen e 14 prillit, ku një zjarr masiv që përfshiu pallatin 12 katësh të "Arlis", pranë QSUT-së.  Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pasi janë administruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth është hedhur dritë mbi ngjarjen. Zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga pakujdesia e disa të miturve. 

Në video shfaqen pesë të mitur që qëndrojnë për disa minuta në pjesën e pasme të një marketi, aty ky nisën flakët në fillim. Pak më vonë dy prej tyre largohen duke mbajtur në duar një objekt të paqartë, që dyshohet të ketë qenë një copë letër. Të miturit e hedhin atë mbi disa kuti kartoni të vendosura jashtë marketit dhe largohen menjëherë nga vendngjarja. Vetëm pak minuta më vonë, në të njëjtin vend shfaqet tym.

Edhe Policia në njoftimin zyrtar raportoi se shkaku kryesor i zjarrit kanë qenë mbeturinat e marketit në katin e parë të ndërtesës. Zjarri, më pas përfshiu plotësisht pjesën e jashtme të ndërtesës, duke djegur fasadën me dy shtresa dhe duke dëmtuar edhe strukturën e brendshme në disa pjesë.

"Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre,'-thuhet në njoftimin e policisë.

Lidhur me rastin janë arrestuar 4 persona dhe dy të tjerë janë në hetim. Në hetim është pronari i kompleksit, Armando Lilo dhe kontraktori që bëri ndërtimin. Në pranga janë vendosur menaxherja e marketit në afërsi të të cilit dyshohet se ndodhi zjarri, administratori i pallatit, Agron Cara, inxhinieri i kompanisë Arlis, Enver Admi dhe kontraktori që ka bërë fasadën e pallatit, Altin Furtuna.

Ndërkohë kompania Arlis me një reagim zyrtar u shpreh se nuk mban asnjë lloj përgjegjësie ligjore, por do të rindërtojë apartamentet e djegura./ZËRI

Poll

MOS HUMB