Aktualitet

Masakra e Borshit, ku u vra Premtim Bega dhe u plagosën 2 të tjerë, arrestohet në Beligjikë autori, Nasi Hodo

Bega ishte duke kaluar me makinë pranë një lokali, ku po qëndronin dy autorët Nasi Hodo dhe Xhonatan Muçaj.

F.I
Masakra e Borshit, ku u vra Premtim Bega dhe u plagosën 2 të
viktima Premtim Bega

TIRANË-29-vjeçari Nasi Hodo i shpallur në kërkim për vrasje e plagosje është arrestuar në Belgjikë. Hodo në bashkëpunim me një person tjerë vrau me thikë Premtim Bega dhe plagosi rëndë Enea Myftarin gjatë një konflikti në fshatin Borsh, ngjarje e ndodhur në orët e para të 26 korrikut 2017. 

Bega ishte duke kaluar me makinë pranë një lokali, ku po qëndronin dy autorët Nasi Hodo dhe Xhonatan Muçaj. Për shkak të shpejtësisë, nga rruga e prishur është ngritur pluhur. Ky veprim në atë kohë iu duk i qëllimshëm autorëve, të cilët pasi ofenduan viktimën u konfliktuan edhe fizikisht, duke përdorur thika dhe sende të forta. Hodo akuzohet edhe për plagosjen e Donald Kostës.

Njoftimi i policisë:

FAST Albania kontribuon nëpërmjet rrjetit ENFAST, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacionit policor, finalizohet nga Policia belge operacioni i koduar “Ndërveprimi”.

Kapet në Belgjikë një 29-vjeçar, i dënuar nga Gjykata e Vlorës për vrasje, kryer në bashkëpunim, dhe plagosje.

Shërbimet e FAST Albania, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se një shtetas i dënuar për krime kundër personit fshihej në Belgjikë.

Informacioni është shkëmbyer në kohë reale me partnerët belgë, nëpërmjet rrjetit ENFAST dhe, si rezultat, në kuadër të operacionit të koduar “Ndërveprimi”, u mundësua lokalizimi, kapja në Belgjikë dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit:
Nasi Hodo, 29 vjeç, i lindur në Sarandë.

29-vjeçari kërkohej ndërkombëtarisht, sepse në vitin 2019, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Në muajin korrik 2017, shtetasi Nasi Hodo, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ka vrarë me mjet prerës (thikë) shtetasin P. B., si dhe ka plagosur rëndë shtetasin E. M., gjatë një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Borsh, Sarandë.

Gjithashtu, 29-vjeçari është autor i plagosjes së shtetasit D. K.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve belgë, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit Nasi Hodo në Shqipëri, me qëllim kryerjen e pjesës së mbetur të dënimit, 13 vjet, 6 muaj dhe 27 ditë burgim.

Poll

MOS HUMB